Fituesi i Big Brother VIP 4, Gjesti, ka dhënë intervistën e tij më emocionale deri më tani në emisionin Goca dhe Gra, ku ka rrëfyer gjendjen e rënduar emocionale pas humbjes tragjike të vëllait.
Mes emocionesh dhe lotësh, artisti tregoi se po kalon një periudhë shumë të vështirë psikologjike, ndërsa ankthi është bërë pjesë e përditshmërisë së tij.
“Jam i thyer në 2 mijë copa. Edhe pse para publikut dal i buzëqeshur, brenda vetes jam shumë i rënduar”, u shpreh ai.
Gjesti tha se ngjarja tragjike e ka ndryshuar plotësisht si njeri dhe se tashmë e sheh jetën me një tjetër sy.
“Kam ndryshuar në mendime, në sjellje dhe në mënyrën si e përjetoj jetën. Kam kuptuar që sot je, nesër s’je”, deklaroi këngëtari.
Ai tregoi se pas humbjes nisi të përballej me ankthin, duke theksuar se shpeshherë përpiqet ta fshehë gjendjen e tij reale pas buzëqeshjes që shfaq në publik dhe rrjete sociale.
“Unë sot kam akoma ankth. Dal i qeshur para njerëzve, por kurrë në jetë nuk kam qenë më i thyer”, tha Gjesti.
Në rrëfimin e tij, artisti foli edhe për ndryshimin shpirtëror që ka përjetuar pas kësaj humbjeje, duke thënë se është afruar më shumë me besimin.
“Në këto situata vetëm Zoti mund të të mbështesë dhe të të japë forcë”, u shpreh ai.
Gjesti tregoi edhe një moment të rëndë emocional që përjetoi pas një koncerti, teksa po ndante fitimet me ekipin.
“Duke parë paratë më kapi ankthi. Zemra më rrihte fort dhe trupi më dridhej. Atëherë kuptova që paraja nuk të bën të lumtur”, tha artisti.
Mes lotësh, ai foli edhe për kujtimet me të vëllanë, duke thënë se ende e ndjen pranë në çdo moment të jetës së tij.
“Kudo ku jam unë, është edhe ai. Ishim shumë të njëjtë”, përfundoi Gjesti.
