
Festivali i Filmit në Kanë ka ulur siparin, por diskutimet sapo kanë nisur. Si çdo vit, shumë prej filmave që debutuan në rivierën franceze po përmenden tashmë si kandidatë potencialë për sezonin e çmimeve dhe veçanërisht për Oscar.
Nga dramat historike dhe historitë emocionale, te thriller-at politikë e filmat artistikë me emra të mëdhenj në kast, këta janë titujt që po marrin vëmendjen më të madhe pas Kanës 2025.
“Fjord”
Fituesi i Palmës së Artë ka ndarë kritikët, por jo interesin e publikut. Regjisori Cristian Mungiu sjell historinë e një çifti ungjillor rumun, të luajtur nga Sebastian Stan dhe Renate Reinsve, që shpërngulet në Norvegji dhe përballet me akuza për abuzim ndaj fëmijëve për shkak të metodave të ashpra të disiplinës. Filmi prek përplasjen mes besimit fetar, traditës dhe shoqërisë moderne progresive.
“Club Kid”
Një nga surprizat më të komentuara amerikane të festivalit. Jordan Firstman shkruan, drejton dhe interpreton rolin kryesor në historinë e një djali të fiksuar pas jetës së natës, i cili zbulon papritur se ka një djalë 10-vjeçar. Filmi është krahasuar me “Anora” për energjinë kaotike, humorin dhe emocionin që sjell.
“La Bola Negra / The Black Ball”
Saga spanjolle me përmasa të mëdha historike konsiderohet një nga filmat më “Oscar-friendly” të këtij viti. Filmi eksploron histori dashurie homoseksuale në periudha të ndryshme të historisë spanjolle, nga vitet 1930 deri në ditët moderne. Penélope Cruz dhe Glenn Close janë ndër emrat që mund të marrin vëmendje gjatë sezonit të çmimeve.
“Soudain / All of a Sudden”
Regjisori japonez Ryusuke Hamaguchi rikthehet me një dramë të ndjerë dhe introspektive. Historia zhvillohet kryesisht në Paris dhe ndjek marrëdhënien mes një drejtoreshe azili pleqsh dhe një dramaturgu japonez me sëmundje terminale. Edhe pse filmi kalon tre orë, kritikët e kanë cilësuar si një përvojë emocionale të fuqishme.
“The Man I Love”
Rami Malek mund të rikthehet fuqishëm në garën për çmime falë këtij filmi të Ira Sachs. Ai interpreton një këngëtar homoseksual me AIDS në fundin e viteve ’80 në Nju Jork, ndërsa përgatit një shfaqje teatrale që mund të jetë momenti i fundit i madh i jetës së tij artistike.
“Notre Salut / A Man of His Time”
Drama historike e Emmanuel Marre sjell historinë e një burokrati francez gjatë regjimit të Vichy-t në Luftën e Dytë Botërore. Filmi trajton mënyrën sesi njerëzit e zakonshëm bëhen pjesë e sistemeve shtypëse, duke ofruar një reflektim të fortë politik dhe moral.
“El ser querido / The Beloved”
Një film për vetë botën e kinemasë, diçka që Akademia zakonisht e vlerëson. Javier Bardem luan një regjisor të njohur që zgjedh vajzën e tij si protagoniste të filmit të tij të ri, por marrëdhënia mes tyre tensionohet gjatë xhirimeve. Kritikët po e quajnë një nga interpretimet më të forta të Bardem në vite.
“Moulin”
László Nemes rikthehet me një thriller lufte të bazuar në historinë reale të Jean Moulin, figurës kyçe të Rezistencës Franceze. Filmi fokusohet te përballja psikologjike mes Moulin dhe Klaus Barbie, një prej emrave më famëkeq të Gestapos naziste.
“Minotaur”
Andrey Zvyagintsev sjell një thriller kriminal me sfond politik në Rusinë moderne. Historia ndjek një oligark që zbulon tradhtinë e bashkëshortes, ndërsa përreth tij shpaloset realiteti brutal i luftës dhe pabarazisë sociale. Filmi konsiderohet ndër më të aksesueshmit e regjisorit rus deri më tani.
