KreuCelebrity

Luvri drejt transformimit miliardësh, projekti për Mona Lisën ndez debat në Francë

Luvri drejt transformimit miliardësh, projekti për Mona Lisën
Muzeu i famshëm i Luvrit ka prezantuar planin e ri të zgjerimit, një projekt gjigant që pritet të kushtojë deri në 1 miliard euro dhe që po shkakton diskutime të shumta në Francë.

Institucioni më i vizituar në botë ka zgjedhur një bashkëpunim mes studiove STUDIOS Architecture Paris dhe Selldorf Architects për realizimin e projektit, i cili synon të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si funksionon muzeu dhe si priten vizitorët.

Një nga elementët kryesorë të planit është ndërtimi i një hyrjeje të re për publikun, me qëllim shmangien e mbingarkesës së madhe që krijohet çdo vit në ambientet e muzeut. Projekti synon gjithashtu të rrisë numrin e vizitorëve me disa milionë në vit.

Në qendër të këtij transformimi do të jetë edhe “Mona Lisa”, kryevepra e Leonardo da Vinçit, për të cilën parashikohet një hapësirë e dedikuar ekspozimi. Sipas autoriteteve franceze, kjo do t’u japë vizitorëve një eksperiencë më të organizuar dhe më moderne gjatë vizitës së veprës ikonike.

Ministria franceze e Kulturës e ka përshkruar projektin si një kombinim mes arkitekturës moderne dhe respektit për historinë e pallatit të Luvrit, duke theksuar se ideja është të krijohet një lidhje më e fortë mes muzeut dhe qytetit të Parisit.

Megjithatë, projekti nuk është pritur vetëm me entuziazëm. Kostot e larta dhe momenti politik në Francë kanë sjellë kritika të shumta, ndërsa disa zëra kanë ngritur pikëpyetje mbi prioritetet financiare të qeverisë.

Debatet janë shtuar edhe pas incidenteve të fundit në muze, përfshirë vjedhjen e bizhuterive me vlerë miliona dollarë në Galerinë Apollo dhe problemet me sigurinë e mirëmbajtjen e godinës.

Një tjetër episod që ngriti shqetësime ishte dëmtimi i qindra librave në Bibliotekën e Antikiteteve Egjiptiane pas një rrjedhjeje uji. Administrata e muzeut bëri të ditur se materialet do të restaurohen dhe nuk konsiderohen humbje të pakthyeshme.

Pavarësisht polemikave, drejtuesit e rinj të Luvrit kanë konfirmuar se projekti “Luvri – Një Rilindje e Re” do të vijojë, me synimin për ta modernizuar muzeun dhe për ta përshtatur me fluksin gjithnjë në rritje të turistëve nga e gjithë bota.