
Kim Kardashian ka bërë një veprim surprizues në lidhje me grabitjen dramatike që përjetoi në Paris në vitin 2016, duke kërkuar vetëm 1 euro dëmshpërblim simbolik nga autorët e ngjarjes.
Sipas mediave ndërkombëtare, avokatët e yllit televiziv kanë paraqitur kërkesën në një gjykatë civile franceze, duke theksuar se Kardashian nuk synon përfitime financiare, por mbylljen morale dhe emocionale të një prej episodeve më traumatike të jetës së saj.
Ngjarja ndodhi gjatë Javës së Modës në Paris, kur disa persona të armatosur hynë në suitën ku po qëndronte Kim, e lidhën dhe e kërcënuan me armë, ndërsa grabitën bizhuteri me vlerë miliona euro. Mes tyre ishte edhe unaza e famshme e fejesës, dhuratë nga Kanye West, e vlerësuar rreth 3 milionë paund.
Gjatë procesit gjyqësor, Kardashian dha një dëshmi prekëse, ku tregoi se ngjarja i ka lënë pasoja të forta psikologjike dhe i ka ndryshuar jetën përgjithmonë. Megjithatë, ajo deklaroi se i fal autorët.
Në të njëjtin proces, edhe stilistja e saj Simone Bretter ka kërkuar vetëm 1 euro simbolike, ndërsa recepsionisti i hotelit ku ndodhi grabitja ka kërkuar rreth 550 mijë euro për dëme psikologjike. Nga ana tjetër, hoteli “Hôtel de Pourtalès” pretendon se ngjarja i ka dëmtuar reputacionin dhe kërkon kompensim.
Vendimi përfundimtar për çështjen civile pritet të shpallet më 15 shtator.
