Suzanne Morrison, nëna e aktorit të ndjerë Matthew Perry, ishte e pranishme në gjykatën federale të mërkurën, më 27 maj, për të ndjekur seancën e dënimit të ish-asistentit të djalit të saj, Kenneth Iwamasa.
Suzanne u fotografua duke mbërritur në gjykatë së bashku me bashkëshortin e saj, gazetarin Keith Morrison. Iwamasa, 61 vjeç, kishte shërbyer si asistenti personal dhe kujdestari i Perry-t për shumë vite.
Sipas autoriteteve amerikane, Iwamasa i kishte injektuar Matthew Perry-t ketaminë tri herë përpara se aktori të gjendej i pajetë në vaskën me hidromasazh në shtëpinë e tij në Los Angeles, më 28 tetor 2023. Perry ishte 54 vjeç.
Pas shpalljes së dënimit, Iwamasa kërkoi falje para gjykatës dhe familjes së aktorit.
“Jam shumë i penduar për gjithçka. E di sa shumë Matthew ju donte të gjithëve. Do ta mbaj këtë barrë me vete për gjithë jetën,” tha ai.
Në lidhje me vdekjen e aktorit janë dënuar edhe disa persona të tjerë, përfshirë Erik Fleming, mjekët Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, si dhe Jasveen Sangha, e njohur nga prokurorët si “Mbretëresha e Ketaminës”.
Fleming u dënua me 24 muaj burg pasi pranoi fajësinë për shpërndarje të ketaminës, ndërsa Chavez mori tre vite provë, tetë muaj arrest shtëpie dhe 300 orë shërbim komunitar. Plasencia u dënua me 30 muaj burg federal, ndërsa Sangha me 15 vite burg.
Sipas Zyrës së Prokurorit Amerikan, gjatë muajit të vdekjes së Perry-t, Iwamasa kishte blerë 51 shishe ketaminë nga Fleming brenda vetëm 11 ditëve.
Prokurorët deklaruan se asistenti kishte njohuri për historinë e gjatë të varësisë së aktorit, por në vend që ta ndihmonte të qëndronte i pastër nga droga, ai ishte kthyer në furnizuesin e tij.
Në deklaratën e saj përpara gjykatës, Suzanne Morrison tha se familja kishte besim të plotë te Iwamasa.
“Matthew i besonte Kenny-t. Edhe ne i besonim. Detyra e tij më e rëndësishme ishte të ishte mbështetësi dhe mbrojtësi i djalit tim në luftën kundër varësisë,” shkroi ajo.
Suzanne dhe Keith Morrison kanë qenë të pranishëm edhe në seancën gjyqësore të Jasveen Sangha në shtator të vitit 2025.
