Vesa Luma ka vendosur të flasë pa filtra për një temë që prej kohësh ka ngjallur diskutime në rrjete sociale: ndryshimin e saj fizik dhe humbjen në peshë. Në një postim të titulluar “Monday Reflections”, këngëtarja sqaron se transformimi i saj nuk lidhet aspak me dëshirën për pamje apo estetikë, por me një betejë të gjatë shëndetësore që zgjati afro tre vite.
Ajo tregon se gjithçka nisi me simptoma shqetësuese si fryrje e vazhdueshme, lodhje dhe mungesë energjie, ndërsa në publik qarkullonin aludime për ndërhyrje estetike, botox apo filler. Sipas Vesës, e vërteta ishte shumë më serioze: pas analizave dhe kontrolleve mjekësore, ajo u diagnostikua me rezistencë ndaj insulinës, një gjendje që po e çonte organizmin drejt diabetit të tipit 2.
Në përpjekje për të stabilizuar shëndetin, këngëtarja shpjegon se fillimisht provoi trajtime të tjera mjekësore, përfshirë Metforminën, por pa sukses. Kjo e detyroi të merrte një vendim të vështirë: nisjen e trajtimit me Ozempic në tetor të vitit të kaluar. Ajo pranon se kishte frikë nga efektet anësore, si të përzierat dhe dobësia trupore, por prioriteti mbeti kontrolli i nivelit të sheqerit në gjak.
Sipas rrëfimit të saj, rezultatet u vunë re brenda dy muajsh, me stabilizim të parametrave shëndetësorë dhe humbje rreth 7 kilogramë. Megjithatë, Vesa thekson se ky proces nuk ishte vetëm fizik, por edhe psikologjikisht i lodhshëm, duke kërkuar shumë durim, përkushtim dhe qetësi.

