Duket se drama në familjen Beckham nuk ka mbaruar, por djali i madh sapo i hodhi më shumë benzinë zjarrit me deklaratat e fundit në Instagram, ku ka akuza serioze manipulimi, të cilat sipas tij kanë ardhur nga prindërit. Brooklyn Beckham ka bërë publike për herë të parë përplasjen me prindërit, David dhe Victoria Beckham, përmes një deklarate të gjatë në Instagram.
26-vjeçari i akuzoi prindërit për manipulim, presion dhe përpjekje të vazhdueshme për të dëmtuar martesën me bashkëshorten Nicola Peltz Beckham.
Brooklyn tha se për vite me radhë ka heshtur për të mbajtur çështjet familjare private, por sipas tij, prindërit dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të përhapin versione të pavërteta në media, duke e detyruar të flasë publikisht. Ai theksoi se për herë të parë po i del zot vetes dhe nuk po kontrollohet më.
Sipas tij, problemet nisën që para dasmës në vitin 2022. Brooklyn pretendon se Victoria Beckham anuloi në momentet e fundit realizimin e fustanit të nusërisë për Nicolën, ndërsa prindërit ushtruan presion që ai të nënshkruante marrëveshje ligjore për të drejtat e emrit të tij, gjë që do të ndikonte edhe te familja e tij e ardhshme. Ai pohon se refuzimi për të firmosur ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhënien me ta.
Në deklaratë, Brooklyn akuzon gjithashtu nënën se “rrëmbeu” kërcimin e parë të çiftit në dasmë, duke e lënë atë të ndihej i turpëruar dhe i poshtëruar përpara të ftuarve. Ai shton se Nicola është trajtuar me mungesë respekti nga familja e tij dhe se nuk ishte e ftuar në festën e 50-vjetorit të lindjes së David Beckham.
View this post on Instagram
Brooklyn shprehet se familja e tij vendos gjithmonë përparësi imazhin publik dhe “Brand Beckham” mbi marrëdhëniet reale familjare, duke shtuar se dashuria, sipas tyre, matet me postime në rrjete sociale dhe paraqitje publike. Ai mohon pretendimet se bashkëshortja e tij e kontrollon, duke thënë se për pjesën më të madhe të jetës ka qenë i kontrolluar nga prindërit.
Sipas Brooklyn, që nga distancimi nga familja, ai ka gjetur paqe dhe i është zhdukur ankthi i fortë që e ka shoqëruar prej vitesh. Ai thekson se ai dhe Nicola dëshirojnë një jetë larg manipulimit, presionit mediatik dhe imazhit artificial, duke synuar vetëm qetësi, privatësi dhe lumturi për familjen e tyre të ardhshme.
