Selvije Jao ka ndarë një dedikim thellësisht prekës me rastin e 4-vjetorit të lindjes së djalit të saj, Roel, një ditëlindje e shënuar nga mungesa e babait të tij, këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi. Kjo është hera e parë që vogëlushi feston pa praninë fizike të të atit, i cili u nda nga jeta papritur më 26 nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe publiku që e donte.
Përmes një postimi në Instagram, Selvija shprehu mallin dhe dhimbjen për faktin se Shpati nuk mundi ta përqafonte edhe një herë të birin në këtë ditë të veçantë. Ajo rrëfen se do të donte që ai të ishte aty, me buzëqeshjen dhe duart plot dhurata, por sot Roeli e feston ditëlindjen duke parë fotografinë e babait.
Në mesazhin e saj, nëna i premton të birit se do të jetë gjithmonë pranë tij, duke i dhënë dashuri dhe forcë të dyfishtë, ndërsa thekson se babai i tij do ta dojë gjithmonë nga qielli.
Postimi ka prekur thellë ndjekësit, duke marrë mijëra reagime dhe komente mbështetjeje. Shumë prej tyre e kanë cilësuar dedikimin si një nga mesazhet më emocionale të fundit në rrjetet sociale, duke uruar vogëlushin për ditëlindjen dhe duke shprehur ngushëllime për familjen.
“Gezuar ditëlindjen jeta ime!
Sot mbush 4 vjeç, Roel…
E unë do doja të ishte këtu babi yt.
Ta shihje me duart plot dhurata,
të të merrte në krahë fort
e të të përqafonte sikur bota të ndalej aty.
Sot ti e feston ditëlindjen duke parë fotografinë e tij,
dhe unë me dhimbjen që ai nuk arriti të të përqafojë edhe një herë.
Por biri im, mami është këtu.
Për të të dashur dyfish,
për të të mbajtur fort.
Babi yt të do nga qielli,
dhe mami i lutet Zotit
të jetë gjithmonë krahu yt.
Të dua fort biri im,arsyeja që unë frymoj”, shkroi ajo.

