Modelja Dajana Kalo po kalon një sfidë serioze për jetën, pasi është goditur nga një hemorragji cerebrale, një situatë e rëndë shëndetësore që ka vënë në rrezik jetën e saj. Si pasojë e kësaj gjendjeje, 25-vjeçarja ka humbur përkohësisht kontrollin e dorës dhe këmbës së djathtë dhe ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm nga një ekip mjekësh specialistë. Ajo pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje urgjente në tru, ndërsa më pas do të përballet me një proces të gjatë dhe të vështirë rehabilitimi.
Rasti u bë publik pasi motra e saj, Bora Kalo, nisi një fushatë “GoFundMe” për të përballuar shpenzimet e larta të trajtimit dhe rikuperimit. Brenda një kohe shumë të shkurtër, reagimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm, duke u mbledhur rreth 200 mijë euro në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për modelen, sipas pamfleti.net. Në mesazhin e saj emocional, Bora tregon se Dajana ndodhet prej gati një muaji e shtruar në një spital në Tiranë, pas një hemorragjie të shkaktuar nga Malformacioni Arteriovenoz (MAV), një problem serioz ku enët e gjakut në tru janë të ndërtuara në mënyrë jonormale dhe mund të çahen papritur.
Sipas saj, pas operacionit Dajana do të ketë nevojë për kujdes të specializuar, fizioterapi intensive dhe rehabilitim afatgjatë. Për një kohë të gjatë ajo nuk do të jetë në gjendje të punojë, të ecë apo të lëvizë anën e djathtë të trupit, ndërsa edhe Bora do të duhet të lërë punën për t’u kujdesur për të gjatë procesit të rikuperimit.
“Çdo ndihmë, sado e vogël, i jep Dajanës një shans më të madh për t’u rikthyer në një jetë normale. Nëse nuk mund të dhuroni, edhe shpërndarja e fushatës është një mbështetje e madhe për ne”, shkruan Bora në mesazhin e saj.
Historia e Dajana Kalos ka prekur thellë opinionin publik, duke treguar edhe një herë solidaritetin dhe humanizmin e madh të shqiptarëve në momente të vështira.

