Nga Brunilda Gorovelli
Udhëtimi artistik i Roerd Toçes është i ndërthurur mes skenës së teatrit dhe kamerave. Aq sa është e zakonshme që teksa shkon në një set xhirimi interviste, fotografik apo filmik, veshjet i merr me vete, e do kërkojë një hapësirë për të veshur veshjen e përshtatshme për secilin rast. Kështu ndodhi edhe në ditën e setit të fotove. Roerdi menjëherë pas provave dhe punës në teatër erdhi në setin e fotografisë për revistën "Bordo" me veshjen e tij në dorë. Praktik, me thjeshtësinë që e karakterizon, dashurinë për profesionin, ai spikat gjithnjë e më shumë në peizazhin artistik shqiptar. Në këtë intervistë ekskluzive për "Bordo", ai rrëfen për rolet sfiduese, bashkëpunimin me partneren e tij, regjisoren Joana Omeraj, dhe jetën si prind i ri. Roerdi flet pa filtra për sfidat e profesionit, vështirësitë, pasionin për artin dhe emocionet e pathyeshme që i ka sjellë ardhja në jetë e vajzës së tij, Anastasia. Në këtë bisedë të sinqertë, aktori nuk heziton të ndajë gjithçka me publikun.

"Vlog 13" është ende në kinema. Si erdhi ky projekt?
"Vlog 13" është një eksperiment i çuditshëm, që në një tavolinë me regjisorin dhe me Joana Omerajn filluam ta mendonim, filluam ta eksperimentonim në mendjen tonë, edhe pas një fare kohe i çmendur David Kodheli tha, “unë jam gati kur je ti”.
Roli yt në "Vlog 13"?
Roli është Roerdi, edhe në rol jam Roerdi domethënë, është një personash goxha ndryshe nga Roerdi i vërtetë dhe nga Roerdi aktori. Është një influencer i cili kërkon me doemos të marrë më të bukurën e çdo gjëje, në çdo vend të mundshëm dhe është i sëmurë nga kjo bukuri.
Ndërkohë luan bashkë me bashkëshorten tënde. Si është të jesh në të njëjtin produksion dhe skenë me të?
Në fillim sfidë. E dyta ankth, Joana është dhe regjisore, dhe e frikshme për mua si Roerd që të jem domethënë, të pres dhe direktivat e saj, por dhe të jem partneri saj, pa e gjykuar në sensin personal. Besoj se çdo çift do ta ketë problem, po që, çuditërisht me Joanën unë ndihem shumë mirë, ishte eksperiencë shumë funny, edhe shumë më e lezetshme që në të dy të luanim dhe të kishim një kujtim kaq të bukur, që ta mbajmë edhe për më vonë.
Në cilat shfaqje do të shohim këtë sezon në teatrin e Metropolit?
Po akoma nuk është vendosur tamam, besoj se shfaqjet janë një cikël që duhet të ulesh, të flasësh, pastaj të vendosësh te kush rol ti je adapt, edhe të flasësh me regjisorin, të pëlqejë skenari, të pëlqejë teksti, normalisht në shumicën e rasteve dhe teksti të pëlqen, se shfaqjet janë madhështore, po që Metropoli ka surpriza shumë bukura dhe gjithmonë do të surprizojë me shfaqjet që të jep.
Cili ka qenë për ty roli më i vështirë, emocionalisht?
Secili rol ka emocionin e vetë, si në komedi, si në dramë, si në tragjedi. Unë gjithmonë veçoj rolin e parë dhe rolin e fundit që kam për momentin. Sepse roli i radhës është ai që një aktor gjithmonë aspiron. Gjithsesi do të thosha “Ditari i Anna Frank”, unë kam patur rolin e Piterit. Ka qenë goxha sfidë e madhe për mua, që dhe më vonë janë marrë ato pëlqimet e njerëzve kundrejt meje dhe mua më ka sfiduar, më ka pushtuar dhe e kam vuajtur goxha si rol.
Ke refuzuar ndonjë rol?
Në kujtesën time, të refuzuar kështu siç thuhet që “jo nuk e bëj këtë”, janë gjithmonë mungesë, si pasojë domethënë, skenari dobët. Po, kam refuzuar disa role, po që janë në shumicën e rasteve janë skenari i dobët se sa ana monetare.
Një shfaqje ose rol që e ke ëndërruar?
Rolet që ëndërroj janë gjithmonë të Shakespeare, janë te personazhet më pikante, Iago tek Otello, është një nga rolet e mia të preferuar, edhe Rikardi III është ëndrra, por gjithsesi prapë do të thosha Iago.
“Mbjellja e pemëve”, “Within Love”, “Snop”, "Në kuadër të dashurisë”, në cilat ke patur rolin më të dashur?
Për momentin është vlogu, "Vlog 13". Po që gjithmonë do të veçoja filmin “Mbjellja e pemëve” sepse është një lloj kthimi në histori, po gjithsesi metaforikisht është një parantezë disi e çuditshme, mund ta them këtë gjë, po që disi është, ndoshta për njerëzit që e kanë parë, disi paralelizëm me jetën time.
Vështirësia më e madhe që ke hasur ndër to?
Vështirësia më e madhe është "Vlog 13" në anën fizike, në anën emocionale, besoj se ka qenë Eriku. Nuk e di është një film me metrazh të shkurtër dhe “Mbjellja e pemëve”.

Do ta konsideroje si një profesion që është i vlerësuar? Sa ka qenë pagesa më e lartë që ke marrë?
Tani të them të drejtën nuk më kujtohet, sinqerisht nuk më kujtohet, sepse ka një kalvar numër shfaqjesh, që unë pagesë kam marrë një total në fund të gjithë shfaqjeve që janë bërë si me thënë, mund të ishte 1000 euro shfaqje në Itali. Kam bërë një shfaqje, paralelizëm Itali-Shqipëri. Që kjo është marrë dhe është shumëzuar në numrin e shfaqjeve që janë goxha dhe pastaj dhe pagesa ka qenë shumë e kënaqshme për mua si një aktor i ri në atë moshë, që isha 24-25 vjeç dhe ishte goxha vrull për mua një fitim lekësh nga ana personale dhe qejfi momentit. Por jo, si profesion nuk është i vlerësuar fare. Besoj se në botë thuhet që është profesioni i 4-t më i vështirë pas kirurgut, në sensin e lodhjes fizike dhe emocionale që të jep, disa e përshkruajnë si tre ndeshje futbolli bashkë të luajtura në një periudhë kohe 2 orë e gjysmë në shfaqje apo një orë e gjysmë. Nuk është i vlerësuar, sepse një aktor duhet të bëjë disa role që të krijojë këtë që ne themi mbijetesë jo jetesë. Jetesa pastaj është gradë shumë e lartë kur i themi ne. Por që jo nuk është i vlerësuar.
“Në kuadër të dashurisë”, puthja me Sara Hoxhën u shoqërua me shumë lajme në atë kohë, sindikuan te ty?
Vazhdon kjo historia e Sara Hoxhës me puthjen. Sara është një personazh publik, mori një rol si gjithë aktorët e tjerë, si unë, si Luizi, si Olta dhe mua më bënë përshtypje ndonjëherë përse nuk u komentua puthja e Oltës me Luizin, aq shumë sa u komentua puthja Sarës. Nuk besoj se është një aktoreje, që është marrë si aktore në film, t'i gjykohet apo të flitet akoma për këtë lloj teme, sepse puthja në film është njëlloj si të thuash pse u takove në film? Është një gjë që shkruhet në skenare, është një gjë që regjisori e do, edhe është një gjë që aktorët bashkë me regjisorët e vendosin se si duhet bërë.
Në çiftin tuaj, si e pa bashkëshortja jote këtë skenë dhe si i sheh ti skenat të ngjashme në rolet e saj?
Unë dhe Joana i kemi profesion. Ka ndodhur që Joana është puthur në film, ka ndodhur që Roerdi është puthur në teatër dhe në film. Joana nga një anë është më pak se unë aktive në skenë dhe në film, sepse gjithmonë është pas kuintave, sepse është regjisorja. Ajo e shef punën e disa personave, kurse unë shoh, kur i thonë asaj shprehjes punën time, dhe pastaj partnerit. Është një gjë shumë normale që do ndodhi, duhet ndodhi, nëse është e justifikuar në tekst edhe justifikuar me çdo rrethanë të mundshme, çdo gjë duhet bërë në film.
Anastasia ju bëri prindër për herë të parë, si ka qenë viti juaj i parë me të?
Anastasia është një emocion…kur thosha në fillim do të bëja këtë, do mbaj gocën fare, do luaj me të gjithë kohës. Unë kam mësuar, jam rritur me të gjatë këtij viti. Anastasia është një tërmet i madh për momentin, është ndjesia më e bukur dhe më e pashpjegueshme në botë, unë tani në këto momente mezi po pres ta takoj, se isha në prova. Nuk di ça të them më shumë për të se do të lodheshe shumë të më dëgjoje, do të mbylleshin pyetjet duke folur për Anastasian.
Çfarë keni mësuar më shumë për veten gjatë kësaj kohe?
Aftësia e durimit nuk e di si thuhet ndryshe. Aftësia për të duruar çdo gjë minimaliste, në çdo tek të mundshme të gjithsecilit prej nesh, jo vetëm të Anastasias. Unë dhe Joana jemi rritur bashkarisht, siç e thashë me vajzën e vogël.
A ka ardhur ajo në një kohë të duhur që ishit të dy të përgjithshëm dhe të matur për këtë vendim?
Unë mendoj se po, dhe për mua dhe për Joanën, në çdo herë që jemi pyetur, është...lumturia më e madhe në botë, nga ana tjetër përgjegjësia, është shumëfish më e madhe, si i thonë asaj shprehjes, ne kujdesemi gjithmonë për një qenush, për një mace apo për një kafshë shtëpiake, po ardhja në jetë e një fëmije është një kalvar emocionesh, apo një kalvar përgjegjësie që t'i duhet t’i dalësh përpara me gjoksin hapur edhe besoj se po ka ardhur në momentin e duhur dhe ne jemi në një moshë që nuk është se duhet të ishte, po që është, si thonë asaj shprehjes, më shumë ishte gëzim se sa një barrë për t’u hequr. Nuk mund quhet kurrë fëmija barrë, nuk mund quhet kurrë fëmija një ngërç, por është emocioni më i madh që njeriu duhet të përjetojë në jetë dhe unë ja këshilloj të gjithëve që ta përjetoni, sepse unë nuk kam fjalë për ta përshkruar.

Përgjegjësitë si i ndani, sa të përfshirë jeni në mënyrë të barabartë?
Gjithmonë varet nga vajza. Është vajza që në këtë moment është më e lidhur me mamin, sepse ka luajtur atë ditë me mamin më shumë dhe do gjithmonë “mami-mami” dhe pastaj është vajza që është e lidhur gjithmonë me babin, siç i thonë babi me vajzën është gjithmonë…
Vajzat janë të baballarëve kur i thonë asaj shprehjes dhe tek Anastasia ndodh kjo gjëja, që vajza është e babit. Dhe gjithmonë e vendos ajo kush do rri më shumë sot me Anastasian. Do rri mami apo do rri babi.
Si dy aktorë që për shkak të profesionit jeni të ekspozuar publikisht, si ka qenë në raportin tuajxhelozia?
Nuk ka patur kurrë. Unë emocionohem shumë kur Joana është në skenë, kam frikë, që jo se nuk kam besim te Joana, por dua që tani të jetë ajo më e mira e mundshme, kurse te vetja ime është…thjesht kaloj, është një emocion që do vij, ngaqë siç e ndjen ti vetë, te personi që ke përballë nuk e sheh dot. Kurse Joana nga ana tjetër, është personi më shtytës në jetën time, bashkë me familjen, bashkë me motrën time, mos të them që janë dy personat më shtytës për ne në sensin “duhet ta bësh dhe këtë, duhet të bësh atë, duhet të bësh dhe këtë”, ndërkohë unë jam dhe një çikë ai tipi që “shiko se sot është pak përtesë, se është pak, janë pak i lodhur”, “jo duhet t’i bësh, sepse janë të mira për profesionin” dhe ajo gjithmonë të shtyn që të ecësh sa më tej.
Roerd, emri yt është lakuar te personazhet e mundshme në "Big Brother VIP 5" ke marrë një ftesë?
Jo, ftesë zyrtare jo, e kam parë këtë, postimet, mi kanë dërguar miqtë. Unë i them një shprehje, ata e dinë dhe unë jo. Është 'reality show' më i ndjekur në Shqipëri, në mos gaboj. "Big Brother" është një katapultë e shpejtë i them unë, për të ndodhur diçka më e mirë në jetën tënde ose diçka më e keqe, është një thikë me dy presa, por ata e dinë dhe unë jo.
Nëse do të vinte një ftesë, si do të përgjigjeshe, a e sheh veten brenda atij formati?
Të them të drejtën, për ta parë veten brenda formatit jo. Nuk besoj se jam i aftë mjaftueshëm për qenë në atë lloj personazhi publik, sepse jam dhe vetë një çikë më i stepur ndaj kamerave apo më pëlqen të luaj një rol, se sa të luaj një rol në jetë. Nga ana tjetër më pëlqejnë sfidat, dua të fitoj gjithmonë. Në çdo lojë që luajmë, në çdo…unë kam qenë dhe pak tip sportiv më i ri dhe gjithmonë ngaqë ka qenë ajo ambicia, inati i mirë i them shprehjes, se dua të jem atje për ta fituar në sensin e… për të ndjerë atë adrenalinën apo emocionin e një sfide. Po që varet për momentin, nëse në atë moment jam koherent apo jam në kohë për ta bërë në diçka të tillë, kam kohë për ta bërë diçka të tillë, atëherë përse jo.
Projekte e tua në të ardhmen janë të fokusuara në kinema apo në teatër?
Në të dyja, gjithmonë në të dyja. Unë nuk kam asnjë vit deri tani, fatmirësisht, dhe ky ndoshta është dhe fat, po duke hequr mënjanë pjesën e zotësisë. Fatmirësisht kanë qenë gjithmonë teatër, film, teatër, film. Gjithmonë kanë qenë 2 projekte teatrale dhe një film, ose 3 projekte teatrale dhe 2 filma dhe ky fati i mirë, sepse gjithmonë nuk do të kesh gjithmonë role kryesore. Ne flasim për filma me personazhe që kanë atë spunton pikante i themi ne, është ai qejfi që të jesh gjithmonë në skenë edhe ai fati i mirë që gjithmonë më ka mbajtur në skenë dhe kjo është goxha produktive për mua.
