
Të kthehesh në traditë, në rrënjët e gjakut, kulturës, natyrës, veshjes, duket se është kthyer së fundmi në fokus të të rinjve. Kështu ndodh edhe me Malsore Sherifin, të renë nga Ferizaj, e cila në interioret, muralet dhe pikturat që realizon ka pikërisht origjinën. Ndryshe nga shumë artistë të tjerë, kur zgjedhin që artin e tyre ta ekspozojnë vetëm në një galeri të mbyllur, Malsore Sherifi ka preferuar ta bëjë në vende të hapura, publike dhe në sipërfaqe tejet të mëdha. E njohur në rrjetet sociale si @malsoresmurals, ajo ka shndërruar pasionin për ngjyrat dhe formën në një mision për ta bërë hapësirën urbane më të gjallë. Me një penel që përzien ndjeshmërinë e femrës dhe fuqinë e mesazhit modern, Malsorja ka krijuar murale që flasin për identitet, dashuri dhe forcë njerëzore. Nga pikturat monumentale në hapësira publike, te portretet simbolike që qarkullojnë në media, Malsorja po bëhet një nga emrat më interesantë të artit vizual bashkëkohor shqiptar.
Malsore Sherifi, përballë një telajoje dhe përballë një muraleje?
Piktura për mua është ajo ku e humbas dhe e gjej veten njëkohësisht. Është mënyra më e bukur për të folur pa fjalë, për të treguar gjendje shpirtërore që shpesh nuk mund të shprehen ndryshe.
Është një rrugëtim që e kam mësuar vetë, pa u kufizuar nga rregullat klasike dhe kjo e bën edhe më të veçantë për mua. Edhe pse mund të mos jem “perfekte” teknikisht, më pëlqen pikërisht ashtu siç e bëj, sepse ajo që dua të jap është ndjenja e momentit dhe shpirti i punës.
Piktura është më e qetë, më e brendshme, kërkon më pak lodhje fizike sesa një mural, por emocionalisht të jep një përjetim të thellë. Ndërsa murali është madhështor dhe të jep një ndjesi force e ndikimi që e ndien menjëherë sapo hyn në një hapësirë. Më pëlqen harmonia që krijojnë ngjyrat në një hapësirë të brendshme, ndoshta sepse kam studiuar Dizajn Enterieri, dhe aty mësova sa shumë rëndësi ka arti për ta bërë një ambient më të ngrohtë dhe më të jetueshëm. Të dyja janë pjesë e imja dhe nuk besoj se do të ndahem ndonjëherë prej tyre.

Si lindi dëshira për të dyja?
Fillimisht e nisa me pikturë, më saktë me vizatim në letër, si shumë artistë të tjerë. Më pas, gjatë kohës së studimeve, zbulova muralet dhe u ndjeva e tërhequr nga ato; kjo ishte një arsye e fortë për të vazhduar në atë drejtim. Nga ana tjetër, gjatë studimeve u pasurova me njohuri rreth enterierit, dizajnit dhe artit të hapësirave të brendshme. Ky kombinim më shtyu që krijimtarinë time ta shpreh edhe përmes muraleve, duke i parë ato jo vetëm si piktura të mëdha, por si pjesë e pandashme e hapësirës ku ndodhen.
Cila është më e vështira për ty?
Të dyja kanë vështirësitë e tyre, secila në mënyrën e vet. Kur pikturoj apo bëj murale, shpesh nuk e di saktësisht si do të duket rezultati përfundimtar, zakonisht i lë disa pjesë ose detaje të hapura që t’i ndryshoj gjatë procesit. Kjo është një lloj sfide që ndonjëherë është e vështirë, por pikërisht kjo më bën të ndihem vërtet artiste. Sigurisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, por shpesh e bën procesin më interesant. Për muralet në veçanti, sfidat janë më shumë fizike: puna në skela ose shkallë, bartja e ngjyrave, lodhja nga qëndrimi në këmbë për orë të gjata dhe shpesh edhe afatet e shkurtra për të përfunduar një hapësirë të madhe. Kjo kërkon edhe pak kondicion fizik, prandaj mundohem të kujdesem për veten, që të përballoj më lehtë këtë pjesë të procesit.
Je në murale kryesisht për portrete të njohura si Frida Kahlo, apo dhe subjekt tjetër?
Frida Kahlo është një nga muralet e para që kam realizuar, por në përgjithësi, portretet më tërheqin më shumë. Më pëlqen të punoj me vijat dhe detajet e fytyrës, dhe zakonisht filloj me një portret si bazë, për ta zhvilluar më pas kompozimin, duke shtuar elemente të tjera që e plotësojnë.
E kam vënë re se portretet janë mjaft të kërkuara sidomos në hapësira komerciale, veçanërisht në sektorin e gastronomisë. Nuk e di nëse është një trend i përkohshëm apo diçka që do të vazhdojë, por për momentin ka shumë interes. Përveç portreteve, më pëlqen të punoj edhe me murale abstrakte të krijuara me ngjyra akrili. Këto japin një ndjesi harmonike dhe janë të këndshme për syrin, duke i dhënë karakter të veçantë çdo ambienti të brendshëm.
Ndërkohë në telajo je me notat shqiptare… (tradicionalja)
Sepse besoj që trashëgimia jonë është një thesar. Veshjet kombëtare shqiptare janë vepra arti më vete plot me simbole, ngjyra dhe detaje që flasin për historinë dhe shpirtin tonë.
Edhe pse arti sot është më modern, herë pas here ndjej nevojën të kthehem te rrënjët, tek ajo që na dallon dhe që na bën unikë si popull. Kjo është një mënyrë për të ruajtur identitetin dhe për ta treguar bukurinë e traditës sonë edhe brezave të rinj.
Shkodra Elektronike po ashtu mori vëmendjen tënde… një nga pikturat mjaft interesante?
Ajo që kanë bërë ata është diçka e veçantë për kulturën tonë një kombinim i traditës me të renë, i tingullit modern me paraqitjen tradicionale. Ishte gjithçka e menduar deri në detaje dhe m’u duk sikur i dha një identitet të ri muzikës elektronike shqiptare. Më pëlqeu sidomos ideja që diçka kaq moderne si elektronika, mund të mbajë mbi vete vlerat dhe simbolet e vjetra, pa i humbur ato. Kryesisht veshja, paraqitja e tyre ishte shumë e veçantë dhe e jona, ishte kjo ajo që më bëri t’i ilustroj.
A ndikon emri yt “Malsore” në identitetin tënd artistik? (Ka simbolikë të fortë kombëtare)
Emri “Malsore” më kujton origjinën, malësinë, por edhe thjeshtësinë dhe bukurinë e kulturës sonë popullore. Është si një zë i brendshëm që më kujton të mos harroj kush jam dhe prej nga vij, edhe kur eksperimentoj me ngjyra, stile moderne apo kompozime abstrakte. E shoh si një urë që më lidh me të kaluarën dhe më frymëzon të krijoj diçka që është edhe personale, edhe universale, një art që flet për ne, por që mund të kuptohet dhe preket edhe nga kushdo që e sheh.
Si lind një mural për ty? Nga ideja e parë deri te pika e fundit e bojës? Po një pikturë?
Zakonisht filloj duke analizuar hapësirën dhe duke dëgjuar idenë ose dëshirën e klientit: çfarë historie duan të tregojnë me atë mur. Pastaj krijoj disa skica ose vizualizime digjitale për të parë si mund të përshtatet më mirë në ambient. Kur filloj punën, skicën e bëj gjithmonë me dorë të lirë, pa projektor apo matje digjitale. Edhe pse ndonjëherë pyes veten, a është kjo mënyra “më e mirë”, për mua është mënyra më e sinqertë për ta sjellë shpirtin e veprës. Gjatë punës ndodh shpesh që disa pjesë të ndryshohen, sepse kur je aty e sheh murin ndryshe dhe e ndien më mirë çfarë i shkon.
Pjesa më e dashur për mua është fundi: kur shtoj detajet e vogla dhe shoh sesi e gjithë hapësira merr frymë dhe bëhet tjetër nga ç’ishte në fillim. Piktura, ndërkohë, është më personale dhe më e qetë. Është një proces që zgjat, ku gjithçka nis dhe mbaron me atë që ndiej brenda vetes.



Çfarë teknike përdor më shpesh dhe pse?
Më së shumti punoj me akril në telajo, mur, dru dhe materiale të tjera. Është ngjyrë që thahet shpejt, më lejon të ndërtoj shtresa dhe i përshtatet mënyrës sime të lirshme të punës. Më pëlqejnë shumë edhe lapsi dhe grafika në letër, sidomos kur dua të skicoj ide, të kap momente të shpejta ose të shpreh ndjenjat më të brishta. Por nuk jam e kufizuar vetëm te këto teknika. Shpesh eksperimentoj me materiale dhe ide spontane, duke krijuar edhe elemente 3D brenda pikturës. E shoh si një lojë midis formës, teksturës dhe ngjyrës, gjithmonë në varësi të asaj që dua të them me veprën.
Si vendos për ngjyrat dhe figurat që do të dominojnë një hapësirë?
Besoj shumë te ndjesia që të jep një ambient. Zakonisht e ndiej që në fillim çfarë i mungon një hapësire. Pastaj është një proces që shkon nga instinkti te skica, e deri te pika e fundit e bojës. Ngjyrat dhe figurat duhet të jenë gjithmonë në harmoni me ambientin e brendshëm me mobiliet, dekorin, ndriçimin dhe materialet e përdorura. Disa hapësira kërkojnë më shumë ngjyra të ngrohta për të sjellë ngrohtësi dhe mikpritje, ndërsa disa të tjera e kërkojnë thjeshtësinë dhe qetësinë e ngjyrave neutrale apo të ftohta, që japin një ndjesi elegance.
Çfarë ndjesie kërkon t’i japësh një shtëpie apo ambienti përmes muralit?
Dua që çdo mural të bëhet pjesë e shpirtit të hapësirës, që ambienti të jetë i rehatshëm, por njëkohësisht të ketë karakter, jetë dhe origjinalitet. Varet shumë nga funksioni i ambientit: një kafiteri mund të ketë nevojë për diçka më të gjallë dhe komunikative; një ordinancë dentisti, diçka që sjell qetësi dhe siguri; ndërsa një restorant tradicional, një murale që të të kthejë te rrënjët dhe kultura. Muralet e bëjnë ambientin të tregojë një histori dhe të japë një përvojë ndryshe, nuk janë thjesht zbukurim, por pjesë e identitetit të vendit.
Ka ndonjë mural dhe pikturë që e konsideron më të dashur?
Me kalimin e kohës, preferencat e mia ndryshojnë, por një nga muralet që më ka mbetur më afër zemrës është “Epoque” në Prishtinë. Aty kam realizuar tre murale në të njëjtën frymë, me figura klasike që lidhen bukur me enterierin elegant të atij ambienti dhe mendoj se ia vlen shumë të vizitohet. Sa për pikturat, kam disa që i kam krijuar për vete, por më e veçanta është “Nëna” – portreti i gjyshes sime me shami, gjysmë profil. Ka një thjeshtësi dhe një bukuri që për mua mbart kujtime dhe kuptim të thellë.
Në shumë prej punimeve të tua shfaqet femra shqiptare. Çfarë përfaqëson ajo për ty?
Për mua, femra shqiptare është e rrallë dhe e jashtëzakonshme, e fortë, punëtore, e dashur dhe njëkohësisht shumë e talentuar. Besoj se si popull kemi tipare të veçanta dhe një bukuri unike që më frymëzon artistikisht. Në shumë prej muraleve dhe pikturave të mia, pikërisht këto tipare janë ato që dua të theksoj: hijeshinë, forcën dhe shpirtin e saj. Portretet e femrës shqiptare nuk janë vetëm një zgjedhje estetike, por edhe një mënyrë për të treguar dhe nderuar historinë dhe bukurinë që e bën kaq të veçantë.
Sa e rëndësishme është për ty të ruash dhe përcjellësh trashëgiminë kulturore përmes artit?
E shoh si thelbësore dhe si një mision personal. Jetojmë në një kohë kur gjithçka ndryshon shumë shpejt, dhe shpesh harrojmë vlerat që na kanë formuar si popull. Për mua, arti është mënyra më e bukur për të rikthyer vëmendjen tek ato që kemi të shenjta traditat, simbolet, motivet tona kombëtare. Nuk është thjesht nostalgji, por një mënyrë për t’ia lënë trashëgimi brezave të rinj dhe për të treguar se kemi një kulturë të pasur, që meriton të ruhet dhe të jetojë më tej.

Nëse do të kishe një mur gjigant diku në Shqipëri, ku do ta realizoje dhe çfarë do të pikturoje?
Do të zgjidhja një hapësirë të brendshme, si një restorant tradicional shqiptar, ku muri gjigant të ishte pika kryesore artistike. Do të pikturoja portrete të grave shqiptare të veshura me kostume tradicionale nga të gjitha trevat, duke krijuar një lidhje të fortë me kulturën dhe historinë tonë.
Do të doja që çdo detaj i ambientit nga muralet, mobiliet, e deri tek aksesorët të bashkëpunonin për të sjellë një harmoni, që të bënte të ndjeje menjëherë frymën dhe shpirtin shqiptar sapo hyje brenda.
A ke një projekt që e konsideron si ëndrrën e jetës tënde artistike?
Një prej ëndrrave të mia është të krijoj një enterier ku çdo mur, tavan apo hapësirë të jetë i pikturuar me dorë, një vend që nuk ka asnjë cep të zakonshëm apo bosh. Çdo element, nga muralet, mobiliet, ndriçimi deri tek aksesorët, të konceptohen si pjesë e së njëjtës vepër, duke u bashkuar në një koncept të vetëm artistik. Dua që ajo hapësirë të mos jetë thjesht e bukur për t’u parë, por të ofrojë një përvojë të plotë emocionale dhe shpirtërore. Një vend ku arti bëhet mënyrë jetese, ku vizitorët të ndihen të përfshirë dhe të frymëzuar, dhe të largohen duke marrë me vete një kujtim që nuk shuhet lehtë. Është më shumë se një projekt: është dëshira për të treguar që arti mund të jetojë kudo rreth nesh dhe ta bëjë çdo hapësirë të ndihet e gjallë dhe e veçantë.
Nga Brunilda Gorovelli


