Ngjarja, e cila tronditi gjithë diasporën ditën e djeshme ishte ndarja nga jeta e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi. Një lajm i trishtë, i cili i preku të gjithë, jo vetëm se artit shqiptar iu shua një artist, por edhe për moshën e tij të re, gjendjen familjare, nga dedikimi i bashkëshortes së tij, e cila zbuloi se kishin shkuar në Itali për të kuruar djalin e tyre.
Mbrëmjen e djeshme “Top Story” me moderatore Grida Dumën, nisi ndryshe. Grida, e cila preku me dedikimin e saj, i shprehu ngushëllimet familjes Kasapi dhe të gjithë të afërmve të tjerë të artistit për humbjen e tyre.
“Nuk është aspak e udhës të bëjmë një analizë të mëtejshme si ndodhi, sa keq apo sa shpejtë ndodhi. Të gjithë u prekën nga dedikimi i bashkëshortes, nga gjendja e familjes, edhe më shumë do të duhej që babai të ishte afër djalit që duhet të ndjekë një rritje më të shpejtë.
Të gjithë kemi të njëjtin reflektim se sa e shenjtë është jeta. Vdekja prek atëherë kur nuk e pret. Urojmë që sa më shumë, kujtimi i Shpatit dhe energjia e tij të jetë nën ndihmë të familjarëve duke e lehtësuar sado pak me solidaritetin tonë nga Top Story”, u shpreh Duma.


