
Legjenda e muzikës Paul McCartney ka ndarë një detaj të panjohur më parë nga një bisedë me Yoko Ono, e cila lidhej me bashkëshortin e saj, John Lennon.
McCartney dhe Lennon ishin pjesë e grupit legjendar The Beatles, ndërsa Lennon ishte i martuar me Ono nga marsi i vitit 1969 deri në vrasjen e tij në dhjetor të vitit 1980.
Në një intervistë për Vanity Fair, McCartney tregoi se Yoko Ono e kishte telefonuar pak kohë pas vdekjes së Lennon dhe gjatë bisedës kishte ndarë një mendim që e kishte surprizuar.
“Sapo kishte ndodhur vdekja e Johnit dhe Yoko më telefonoi. Ajo më tha: ‘E di, mendoj se John mund të ketë qenë homoseksual’”, kujton McCartney.
Megjithatë, artisti theksoi se nuk ishte dakord me këtë ide. Sipas tij, gjatë viteve ’60 Lennon kishte pasur shumë marrëdhënie me gra dhe ai personalisht nuk kishte vënë re asnjë shenjë që do ta mbështeste këtë teori.
McCartney pranoi se në atë kohë kishin qarkulluar edhe zëra për një lidhje të mundshme mes Lennonit dhe menaxherit të grupit, Brian Epstein, i cili ishte homoseksual. Megjithatë, sipas tij, nuk ka pasur kurrë prova që të konfirmonin një marrëdhënie të tillë.
John Lennon u vra më 8 dhjetor 1980 në moshën 40-vjeçare nga Mark David Chapman, një fans i fiksuar. Nga martesa me Yoko Ono ai pati një djalë, Sean Ono Lennon, ndërsa kishte edhe një tjetër djalë, Julian Lennon, nga martesa e tij e parë me Cynthia Lennon.
