Pas më shumë se një dekade në krye të shtëpisë së modës Balmain, Olivier Rousteing ka njoftuar të mërkurën, më 5 nëntor, se po largohet nga pozicioni i Drejtorit Kreativ.
Rousteing mori drejtimin e Balmain në moshën 25-vjeçare, në vitin 2011, duke u bërë një nga drejtuesit më të rinj të një shtëpie të modës pariziane. Gjatë karrierës së tij, ai ka krijuar koleksione të paharrueshme dhe ka veshur yje të mëdha të industrisë, përfshirë Beyoncé, Kim Kardashian, Cardi B dhe Zendaya, e cila shkëlqeu në premierën e filmit Dune në Festivalin e Filmit në Venecia, 2021.





Përmes një postimi në Instagram, Olivier rrëfeu emocionet e tij:
“Sot shënon fundin e epokës time në Balmain. Gjashtëmbëdhjetë vite më parë fillova këtë aventurë pa ditur çfarë do të vinte. Një histori e jashtëzakonshme një histori dashurie, një histori jete. Asgjë prej kësaj nuk do të kishte qenë e mundur pa familjen time të zgjedhur, ekipin tim, grupin dhe të gjithë ata që më besuan që nga fillimi. Si çdo histori, edhe kjo ka një fund.”
Ai shtoi gjithashtu:
“Faleminderit për mbështetjen, dashurinë dhe përjetimin e këtij udhëtimi të bukur të Balmain me mua, sezon pas sezoni. Faleminderit Mayhoola për mbështetjen dhe për të gjitha kujtimet që do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në mendjen time. Faleminderit ekipit tim, pa të cilin këto aventura të pabesueshme nuk do të kishin ekzistuar.”
CEO i Balmain, Matteo Sgarbossa, gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij:
“Do të doja të shprehja mirënjohjen time të thellë ndaj Olivier për shënimin e një kapitulli kaq të rëndësishëm në historinë e Balmain. Kontributi dhe pasioni i tij gjatë këtyre viteve do të lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e modës.”
Deri tani, pasardhësi i Rousteing nuk është bërë i ditur. Largimi i tij vjen në një periudhë dinamike për industrinë e modës, ku vitet e fundit janë shënuar ndryshime të shumta në pozicionet e Drejtorëve Kreativ të shtëpive të mëdha, përfshirë Alessandro Michele në Valentino, Demna në Gucci, dhe Jonathan Anderson në Dior.
