
Amerika, e sidomos Hollivudi është vendi ku ëndrrat kthehen në realitet për shumë artistë të rinj që synojnë magjinë e ekranit. Neraida Bega sapo ka nisur rrugëtimin e saj drejt kësaj ëndrre, duke qenë protagoniste në disa filma, por nuk do të ndalet me kaq! Neraida Bega lindi dhe u rrit në Shqipëri deri në moshën 7 vjeçe, kur ajo dhe familja e saj u zhvendosën në Itali, ku ajo zbuloi dashurinë për artet. Pasi provoi pianon dhe violinën, Neraida la në mes rrugën drejt mjekësisë, pasi një audicion për aktore i dhuroi mundësinë për të provuar ndjesinë që të dhuron një rol në film. Mjaftoi kaq dhe jeta e saj ndryshoi 360 gradë: vendosi të largohej nga Italia për t'u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndjekur ëndrrën e saj: aktrimin. E pranon, se fillimi nuk ishte aspak i lehtë, po duke zgjedhur të mos dorëzohet, nisi të merrte rolet e para, fillimisht në lojën virtuale “Borderlands 3” me aktorin Channing Tatum, e më pas, kur spikati për aftësitë e saj, vajza shqiptare u bë pjesë e produksioneve të Marvel në serialin “WandaVision”. Ndërsa filmi i fundit “The Proposal” ishte një tjetër gjurmë e saj në kinema, të tjera projekte ka ajo në agjendën e saj, mes tyre edhe një produksion që pritet të flasë për vendin e saj të lindjes. E pajisur me aftësi jo vetëm si aktore, por edhe një njohëse e arteve marciale, ajo synon ekranin e madh për të qenë një ‘action movie star’!
Neraida, si po ecën karriera juaj në këtë periudhë? A keni ndonjë projekt filmik aktualisht?
Karriera ime është në një pikë ku nuk ndjek më rastësinë, por krijoj strategji. Po përgatitem për projekte që kërkojnë maksimumin nga unë, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Nuk mund të zbuloj detaje, por e di që hapi im i radhës do të jetë më i madh se gjithçka që kam bërë deri tani.
Filmi juaj i fundit ishte “The Proposal”, a jeni e kënaqur me rezultatin?
“The Proposal” ishte eksperienca ime e parë si producente dhe u dashurova me këtë proces. Aktrimi dhe prodhimi shkojnë dorë për dore, një kombinim magjik që dua të vazhdoj ta ndjek. Jam shumë e kënaqur me rezultatin dhe në të njëjtën kohë kjo më shtyn të synoj më lart, të bëj më shumë projekte dhe t’i bëj më mirë.
Në “The Proposal” luani një vajzë të ashpër, rebele. Sa afër është ky rol me Neraidën në jetën reale?
Ajo që shihni në ekran, ‘the crazy’, forca, rebelimi, ajo energji që nuk ndalet, është e gjitha pjesë e imja. Është e njëjta forcë që ka luftuar për të më çuar aty ku jam sot. Por në jetën e përditshme jam shumë e qetë, ‘funny’, dhe në fakt introverte.

Kush ose çfarë ka ndikuar më shumë në dashurinë tuaj për artin?
Prindërit e mi nuk janë “artistë”, por na rritën me disiplinë, përkushtim dhe bindjen se çdo gjë arrihet me punë dhe përkushtim. Mua dhe motrës na dhanë mundësinë të ndiqnim artin paralelisht me shkollën, dhe kjo ka formuar themelin e asaj që jam sot.
Keni studiuar piano, violinë dhe keni kënduar. Çfarë ju bëri të përqendroheshit tek aktrimi?
Besoj se ishte pjesë e fatit. Kur m’u dha mundësia për një audicion më pëlqeu aq shumë, sa më lindi kureshtja dhe dëshira për ta bërë sërish. Ky ishte momenti që më shtyu të vendos të ndjek aktrimin dhe të zhvendosem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Figura juaj si aktore shpesh lidhet me artet marciale. A keni marrë trajnim profesional në këtë fushë?
Po, kam patur gjithmonë pasion për artet marciale. Jam stërvitur 6 vite në Muay Thai, para se të filloja karrierën në aktrim dhe ende sot vazhdoj të stërvitem në disa disiplina. Kjo më jep avantazhin që në filmat aksion të bëj vetë shumicën e skenave, dhe është një aftësi shumë e vlefshme, nëse dëshiron të jesh ‘Action Star’!

Pas jetës në Itali, si e morët vendimin për të shkuar në SHBA dhe për të ndjekur ëndrrën e aktrimit?
Pak “delusion” (çmenduri, haha), guxim, instinkt dhe dëshira për t’i dhënë vetes mundësinë të ndjek diçka më të madhe se vetja. Sinqerisht, nuk e mendova dy herë, edhe pse kjo do të thoshte të lija pas sigurinë, për një botë që nuk e njihja. Pjesa e vetme e vështirë ishte të isha larg familjes.
Keni përmendur se Denzel Washington ka ndikuar te ju. Çfarë keni mësuar prej tij?
Nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit. Siç thotë Denzel Washington, “Qëllimet në rrugën drejt suksesit nuk mund të arrihen pa disiplinë dhe qëndrueshmëri”, ose “Fati është aty ku mundësia takon përgatitjen”. Ky është kodi im i përditshëm.
Ka patur ndonjë moment kur keni menduar të dorëzoheni?
Po, plot, por dorëzim? Asnjëherë. Dështimi është mësuesi më i madh, ai që të tregon ku të përmirësohesh. Në aktrim, përballemi me më shumë ‘jo’ sesa ‘po’, dhe dështojmë vazhdimisht, por aty qëndron bukuria e këtij arti. Çdo refuzim bëhet shtysë për të ecur më fort.
Në ekran, skenat me arte marciale duken të mahnitshme. Por si është realiteti në sheshxhirime?
Në ekran duket magjike, por realiteti në xhirime është i vështirë, i lodhshëm, shpesh i dhimbshëm dhe kërkon energji të jashtëzakonshme fizike e mendore. Por, kjo është pjesë e punës që kam zgjedhur – E dashuroj!
A ndiqni një regjim për të qenë në formë, duke qenë se rolet tuaja shpesh përfshijnë aftësi fizike?
Po, 100 për qind dhe duhet të kujdesem për trupin tim për të qenë në gjendje të bëj atë që bëj. Është një mënyrë jetese, që për mua tashmë është bërë normale.

A keni një model që ju frymëzon në aktrim?
Nuk është se kam një person të vetëm. Ka shumë aktorë dhe aktore të mrekullueshëm që më frymëzojnë, i admiroj dhe i respektoj.
Cila është ëndrra juaj më e madhe në karrierë?
Ëndërroj të krijoj filma dhe projekte kinematografike që do të më mbijetojnë, filma që shërojnë, frymëzojnë dhe sfidojnë mënyrën se si e shohim veten. Aktrimi është mënyra ime për t’i dhënë botës më të mirën që kam.
Me kë do të donit të ndanit skenën?
Oh, lista është e gjatë… nuk do të ishte e drejtë të zgjedhja vetëm një (qesh).
Sofia Vergara thotë se aksenti është pasuri. Si ka qenë për ju?
Po, në fillim ishte e vështirë sepse flisja shumë pak anglisht dhe e dija që duhej të përmirësohesha në çdo drejtim. Tani, fatmirësisht, mund të bëj një theks amerikan kur është e nevojshme, veçanërisht në disa projekte ku personazhi është amerikan. Ende kam një theks të lehtë të huaj, por e shoh si diçka të bukur dhe nuk kam asnjë dëshirë ta ndryshoj.

A ju pyesin shpesh për origjinën dhe çfarë i kuriozon më shumë njerëzit?
Kanë kuriozitet për shumë gjëra. Sot shoh që vendi ynë po merr më shumë vëmendje dhe njerëzit mbeten të mahnitur nga kultura, mikpritja dhe bukuria jonë. I pëlqen gjithashtu fakti që shumica e shqiptarëve flasin disa gjuhë të huaja. Një nga ëndrrat e mia është të sjell një film të madh aksion (tashmë në proces) nga Hollivudi në Shqipëri, për t’i treguar botës sa i jashtëzakonshëm është vendi ynë.
Sot, a ke dikë ndaj të cilit do të dëshironit t’i thoni faleminderit?
Së pari falënderoj veten për guximin, prindërit e mi që më kanë udhëhequr gjithmonë me shembullin e tyre, dhe motrën time që është mbështetja ime më e madhe, motra më e mirë që mund të kisha. Ndihem me fat që jeta ime është e mbushur me njerëz që më frymëzojnë dhe më ndihmojnë të eci përpara. Çdo gjë që kam arritur është rezultat i dashurisë, ndihmës dhe udhëzimit të shumë njerëzve ndër vite. Faleminderit Zotit!


