Manjola Nallbani në “Kënga Magjike” me një mesazh për fuqinë e dashurisë përballë botës artificiale
Këngëtarja e njohur Manjola Nallbani vjen këtë vit në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Jetoj”, një projekt me një mesazh të thellë njerëzor në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme.
Në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, Manjola Nallbani u shpreh se frymëzimi për këngën vjen nga reflektimi mbi ndryshimet që po ndodhin në shoqëri dhe se si bota po shkon më shumë drejt artificiales.
“Gjithmonë këto kohët e fundit po shikojmë që artificialja po e mund atë njerëzoren, duke filluar nga ndjesitë njerëzore, nga dashuria. Dhe i thashë vetes, më pëlqen shumë t’i këndoj faktit që, duke u bërë kaq e fuqishme kjo teknologjia edhe inteligjenca artificiale, gjëja që nuk dua të humbasë dhe jam e bindur që shumë njerëz ndihen njësoj është dashuria dhe të qenit njeri.”
Artistja shtoi se “Jetoj” nuk është thjesht një këngë dashurie mes një çifti, por një thirrje për të ruajtur ndjeshmërinë njerëzore në një botë gjithnjë e më virtuale:
“Kënga thotë ‘Si do jetoj pa ty, se di’. Në ditët që do të vijnë, nuk e kuptoj si do të jetojnë njerëzit nëse nuk do të ndjejnë atë dashurinë që të merr frymën, që të merr zërin. Sepse të gjithëve jemi koshientë që gjërat po ndryshojnë dhe sidomos në këtë drejtim po bëhen relatat njerëzore, qoftë në dashuri e qoftë në mënyrën si si komunikojmë e si shprehemi më të ftohta edhe më virtuale.”
Me këtë projekt, Manjola Nallbani synon të përcjellë një mesazh universalisht njerëzor: se dashuria dhe ndjeshmëria janë vlera që asnjë teknologji nuk duhet t’i zbehë.
Video e plotë më poshtë:
