Kim Kardashian ngjalli diskutime te zjarrta në rrjetet sociale pasi në një episod të ri të serialit të saj në Hulu, “The Kardashians”, u shpreh se nuk beson se njeriu ka zbritur ndonjëherë në Hënë.
Kim foli për misionin historik Apollo 11 dhe astronautin Neil Armstrong, i cili më 21 korrik 1969 u bë njeriu i parë që eci në sipërfaqen e satelitit te vetem natyror te Tokes. Ajo u shpreh se është bindur nga “provat që ka parë në internet” se ulja në Hënë ishte e rreme dhe ndodhi në një “studio filmimi”. “Kam parë shumë video të Buzz Aldrin ku ai vetë thotë se nuk ndodhi. Ai e pranon gjatë gjithë kohës tani, në intervista”, tha Kardashian.
Teksa diskutonte me aktoren Sarah Paulson, ajo përmendi disa nga “argumentet” e saj: “Pse valëvitet flamuri në Hënë nëse nuk ka gravitet? Këpucët në muze kanë një gjurmë tjetër nga ato në foto. Dhe pse nuk ka yje në sfond?”
Paulson reagoi me habi, duke i thënë se do të bënte “një sasi të madhe kërkimesh” pasi Kim t’i dërgonte materialet që përmendi.
Në një moment tjetër, producenti e pyeti nëse e kishte seriozisht. “Nuk mendoj se ndodhi. Mendoj se ishte e rreme”, u përgjigj Kardashian, duke shtuar me humor: “Do të thonë se jam e çmendur gjithsesi. Por shko në TikTok dhe shiko vetë.”
Ulja në Hënë në vitin 1969 është dokumentuar gjerësisht nga NASA dhe është verifikuar nga ekspertë të pavarur në mbarë botën, megjithatë, teoritë konspirative rreth këtij misioni vazhdojnë të qarkullojnë në internet edhe pas më shumë se pesë dekadash.

