Ish-bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka ndarë eksperiencën e veçantë të rritjes së fëmijëve të tij në dy mosha të ndryshme të jetës.
Në moshën 95-vjeçare, Ecclestone është baba i katër fëmijëve: Deborah, 70 vjeçe, nga martesa e tij e parë me Ivy Bamford; Tamara, 41 vjeçe, dhe Petra, 36 vjeçe, nga martesa e tij e dytë me Slavica Radic; dhe djali më i vogël, Ace, 5 vjeç, nga bashkëshortja aktuale 49-vjeçare, Fabiana.Pas shitjes së Formula 1 tek Liberty Media për 3.44 miliardë paund, Ecclestone thotë se tani ka më shumë kohë për tu përkushtuar tek rritja e vogëlushit Ace. Ai tregoi për gazetën gjermane Bild:
“Ace është një djalë i mrekullueshëm. Ai është i zgjuar, kurioz dhe i interesuar për gjithçka.”
Bashkëshortja Fabiana shtoi:
“Po funksionon shumë mirë. Bernie dhe unë jemi një ekip dhe po rrisim Ace bashkë. Kur unë humbas pak durimin, Bernie i shpjegon në mënyrën e tij të qetë dhe të butë se nuk mund të shohë TV për gjysmë ore derisa të përfundojë detyrat e shtëpisë.”Ecclestone komentoi gjithashtu sfidën e të qenit baba për dy fëmijë në skaje të ndryshme të jetës:
“Është diçka e veçantë. Kur shikon më të madhin dhe më të voglin, kupton sa shumë ka ndodhur ndërmjet tyre.”
Përveç familjes, Ecclestone ka treguar edhe për miqësitë e tij të rralla. Ai tha se ka vetëm katër miq të ngushtë, tre prej të cilëve janë ndarë nga jeta: Jochen Rindt, Max Mosley dhe Niki Lauda, ndërsa i katërti është ish-drejtori i skuadrës Renault, Flavio Briatore.
Ecclestone rrëfeu një episod interesant: kur jahti i Briatore u konfiskua nga autoritetet italiane në 2010 për mosdeklarim të taksës së karburantit, ai e bleu në ankand dhe pastaj ia shiti Briatore-s për çmimin e ankandit plus një dollar.
Ecclestone vazhdon të jetë një figurë e jashtëzakonshme në botën e Formula 1, jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për jetën e tij personale dhe marrëdhëniet unike që ka ndërtuar gjatë viteve.
