Në Grida Duma Podcast, këngëtarja Elsa Lila ka treguar për herë të parë se si mori lajmin e vrasjes së nënës së saj në vitin 1997, vetëm pesë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria me helikopterin e ambasadës italiane.
“Italia ishte burgu im i parë. Nuk më lejuan të kthehesha, kufijtë ishin të mbyllur. Doja vetëm ta shihja nënën, por nuk munda. E kam parë vetëm një gur kur u ktheva në tetor,” rrëfeu ajo.
Edhe sot, pas shumë vitesh, Elsa thotë se truri i saj nuk e ka pranuar ende humbjen: “E mendoj sikur është diku, në një kontinent tjetër, dhe po jeton jetën e saj”, shprehet këngëtarja.
Përjetimet për muajt në përballje me drejtësinë italiane, këngëtarja Elsa Lila i ka përshkruar edhe në librin e saj “Mirë se erdhe në Rebibbia”.
Nënën, violonisten Eva Vishaj e humbi në 1997, viti i trazirave; ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës e qëlluar me plumb në kokë. Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago. Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit.
Duke qenë se ishte e divorcuar, Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”.
Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndersa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën.


