Një hetim i fundit ka zbuluar se para grabitjes së jashtëzakonshme të xhevahireve me vlerë 102 milion dollarë në Louvre, muzeu përdorte një fjalëkalim të dobët dhe të parashikueshëm për sistemin e tij kryesor të sigurisë: “LOUVRE”.
Sipas dokumenteve konfidenciale të marrë nga Libération, Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike të Francës arriti të aksesonte serverin që menaxhonte kamerat e sigurisë duke përdorur këtë fjalëkalim të thjeshtë. Ky fjalëkalim ishte identifikuar për herë të parë nga agjencia në një auditim të vitit 2014, dhe auditime të mëvonshme evidentuan mangësi serioze në sistemet e sigurisë të muzeut, përfshirë përdorimin e softuerit 20-vjeçar.
Nuk është e qartë nëse muzeu kishte ndryshuar fjalëkalimet që nga auditimet e mëparshme, përfshirë edhe para grabitjes së 19 tetorit.
Grabitja u krye gjatë ditës, dhe hajdutët vepruan në më pak se tetë minuta. Katër të dyshuar, të maskuar me jelekë të verdhë dhe helmetë motori, përdorën një shkallë elektrike për të arritur Galerinë Apollo.
Ata thyen xhamat e vitrave me prerës rrjete dhe vodhën tetë xhevahire të çmuara, përfshirë diademën me safir, një qafore dhe një vath që i përkisnin mbretëreshave të shekullit XIX, Marie-Amélie dhe Hortense.
Pas grabitjes, hajdutët zbritën me të njëjtët shkallë dhe u përpoqën të digjnin kamionin para se të arratiseshin me dy skuterë të parkuar pranë.
Megjithëse katër të dyshuarit janë arrestuar një nga pjesëtarët e grupit mbetet ende në arrati.
Hetimet tregojnë se të paktën disa nga të arrestuarit nuk lidhen me krimin e organizuar, duke përfshirë një taksist 39-vjeçar dhe një punëtor mallrash dhe mbeturinash 34-vjeçar nga periferia veriore e Parisit. ADN-ja e tyre u gjet në vendin e ngjarjes dhe ata pranuan pjesërisht përfshirjen në grabitje.
Laurence des Cars, presidente dhe drejtoreshë e Louvre, ka deklaruar se sistemi i sigurisë i Galerisë Apollo funksiononte, por ka pasur një dobësi në sigurinë e perimetrit për shkak të mungesës së investimeve.
