
Një debat i fundit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka shkaktuar reagime të ashpra jashtë saj, pas një koment i rëndë nga Rogerti ndaj Stenaldos. Gjatë përplasjes, Rogerti tha se Stenaldo “e ka mallkuar Zoti” për shkak të aftësisë së tij të kufizuar në shikim, një deklaratë që ka shkaktuar indinjatë të menjëhershme.
Familjarët e Stenaldos, që menaxhojnë edhe llogarinë e tij zyrtare në Instagram, kanë dënuar publikisht këtë gjuhë, duke e cilësuar si thellësisht çnjerëzore dhe të papranueshme. Në një postim ku është shpërndarë edhe video e momentit të ofendimit, ata theksojnë se përdorimi i emrit të Zotit për të justifikuar fjalë urrejtjeje ndaj një personi me aftësi të kufizuara është një mungesë totale empatie dhe një nga nivelet më të ulëta të etikës njerëzore.

Familjarët bëjnë thirrje publike ndaj produksionit të “Big Brother VIP” dhe Top Channel, duke kërkuar që raste të tilla të mos normalizohen dhe të ketë përgjegjësi për gjuhën e përdorur brenda formatit. Ngjarja ka nxitur gjithashtu një debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues shprehin shqetësim për kufijtë e etikës dhe mesazhet që transmetohen në prime-time.
