
Autoritetet franceze kanë ndërmarrë një aksion ndaj zyrave të platformës së rrjeteve sociale X, në pronësi të Elon Musk, në kuadër të një hetimi penal që po zhvillohet në Francë. Prokuroria e Parisit konfirmoi se kontrolli po kryhet nga njësia e krimit kibernetik, me mbështetjen e Europolit dhe policisë franceze.
Sipas autoriteteve, hetimi është hapur që në janar të vitit 2025 dhe lidhet me dyshime mbi mënyrën se si funksionon algoritmi i platformës, veçanërisht pas marrjes së kontrollit nga Musk në vitin 2022.
Prokuroria bëri të ditur se Elon Musk dhe ish-drejtoresha ekzekutive e X, Linda Yaccarino, janë thirrur për të dëshmuar në seanca dëgjimore të planifikuara për më 20 prill.
Nisma hetimore u ndërmor pas shqetësimeve të ngritura nga deputeti francez Eric Bothorel, i cili ka denoncuar atë që e cilëson si paragjykim algoritmik dhe ndërhyrje në menaxhimin e platformës. Një ankesë tjetër është paraqitur nga një zyrtar i sigurisë kibernetike në administratën publike, i cili pretendon se ndryshimet në algoritëm kanë favorizuar përhapjen e përmbajtjeve politike problematike.
Autoritetet franceze kanë deklaruar se hetimi është zgjeruar pas raportimeve të reja që lidhen me funksionimin e Grok në platformën X, duke ngritur dyshime për përhapjen e përmbajtjeve që mohojnë Holokaustin si dhe materialeve të rreme me natyrë seksuale (deepfake).
Hetimi po zhvillohet nën dyshimin se algoritmi i platformës është përdorur për qëllime të mundshme ndërhyrjeje të huaj, çështje që ka ngritur shqetësime serioze në nivel europian.
