Viti 2026 ka nisur ndryshe për këngëtarin Blero Muharremin. Me më shumë qetësi, siguri emocionale dhe plane të qarta për të ardhmen, këngëtari i njohur duket se po jeton një nga periudhat më të bukura të jetës së tij personale dhe profesionale. Në një intervistë ekskluzive për revistën Bordo, ai ka folur hapur për martesën intime me Eronitën, raportin e tyre larg zhurmës së mediave, dashurinë për vajzën e tij Tarën, dëshirën për t’u bërë sërish baba, si dhe për rikthimin e fuqishëm në muzikë. Me ardhjen e tij në Tiranë, ai preferoi të qëndronte në Hotel Hilton Garden Inn Tirana në Bulevardin "Gjergj Fishta", realizoi këtë intervistë eksluzive për Revistën Bordo dhe Bordo Stream.
Blero e pranon se përvoja e tij e kaluar në marrëdhënie me persona publikë e ka bërë të reflektojë shumë për balancën mes famës dhe jetës private. I martuar më parë me aktoren Teuta Krasniqi dhe më pas me modelen Afrona Dika, këtë herë ai thotë se ndihet më mirë se kurrë.
“Eronita nuk është person publik dhe dëshiron të mbetet e tillë. Kjo më jep një qetësi të madhe. Ndoshta funksionon më mirë kështu në këtë botën e showbiz-it, kur njëri është në skenë dhe tjetri ‘backstage’. Ka shumë më pak kokëdhimbje,” shprehet këngëtari.Edhe pse Eronita është më e tërhequr nga jeta publike, profili i lartë mediatik i Bleros e vendos shpesh në qendër të vëmendjes. Megjithatë, kjo nuk ka qenë pengesë për marrëdhënien e tyre.
“Ajo e ka ditur që në fillim me kë është lidhur. Është rritur me këngët e mia,” thotë ai me të qeshur, duke shtuar se Eronita ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja e tij më e madhe. “Më jep kurajo, më shtyn të provoj më shumë dhe të mos ndalem.”
Dashuria e saj për muzikën e Bleros nuk mungon as në detaje të vogla. Sipas këngëtarit, kënga e preferuar e Eronitës është “Pesë”, dueti i tij me Shkurte Gashin, të cilin ajo e dëgjon vazhdimisht.
Përtej jetës në çift, Blero flet me shumë ndjenjë edhe për vajzën e tij Tarën, me të cilën ruan një lidhje shumë të veçantë, ndërsa nuk e fsheh dëshirën për t’u bërë sërish baba. Paralelisht, ai po përgatitet për projekte të reja muzikore, duke premtuar një rikthim të fortë në skenë.
Me bindjen se “e treta është e vërteta”, Blero Muharremi duket se po hyn në këtë kapitull të ri të jetës me më shumë pjekuri, qetësi dhe besim se gjërat më të bukura janë ende përpara.
Ndiqni intervistën e plotë këtu:
