
Kim Kardashian dhe kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, kanë ndezur rrjetin me thashethemet për një lidhje të re dashurie. Sipas raportimeve të fundit nga The Sun, dy yjet janë parë duke kaluar kohë së bashku larg syrit të publikut, në një fundjavë që përshkruhet si tepër intime.
Biznesmenia dhe ikona e modës raportohet se udhëtoi nga Los Angeles drejt Mbretërisë së Bashkuar me avionin e saj privat, për t’u takuar me Hamilton në Estelle Manor – një resort ultra luksoz dhe klub privat në zemër të Cotswolds. Burime pranë tyre thonë se çifti qëndroi në të njëjtën suitë dhe shijoi privatësi të plotë, përfshirë akses ekskluziv në spa, pishinë dhe një masazh të rezervuar për dy persona.
Për të shmangur çdo vëmendje, Kim dhe Lewis thuhet se zgjodhën të darkonin në ambiente private, ndërsa lëvizjet e tyre u shoqëruan nga siguria gjatë gjithë kohës.
Edhe pse gjatë viteve janë fotografuar herë pas here në evente të ndryshme, kjo është hera e parë që emrat e tyre lidhen seriozisht në një kontekst romantik. Miqësia mes Kardashian dhe Hamilton daton që prej vitit 2014, kur të dy shfaqeshin publikisht pranë partnerëve të tyre të atëhershëm, Kanye West dhe Nicole Scherzinger.
A kemi të bëjmë me romancën më surprizë të momentit? Asnjëri prej tyre nuk ka reaguar ende, por burimet këmbëngulin se lidhja sapo ka nisur.
