KreuCelebrity

Audio të errëta nga e kaluara e Michael Jackson dalin në publik

Audio të errëta nga e kaluara e Michael Jackson dalin në publik
Regjistrime audio të padëgjuara më herët të Michael Jackson pritet të bëhen publike përmes një dokumentari të ri televiziv, duke rikthyer në vëmendje një nga kapitujt më të errët dhe më të debatuar të jetës së tij.

Në këto audio, mbreti i ndjerë i pop-it flet hapur për lidhjen e tij emocionale me fëmijët, duke ndarë mendime që konsiderohen tepër intime dhe shqetësuese. Në një nga regjistrimet, Jackson dëgjohet duke thënë se ideja për t’u ndaluar të qëndronte pranë fëmijëve do ta shtynte drejt një akti ekstrem.

“Nëse do të më thoshit tani se nuk mund të shihja më kurrë fëmijë… do ta vrisja veten,” shprehet ai në një nga fragmentet audio.

Në një tjetër moment, Jackson thotë:

“Fëmijët përfundojnë duke rënë në dashuri me personalitetin tim. Ndonjëherë kjo më fut në telashe.”

Këto regjistrime hedhin dritë të re mbi marrëdhënien e tij të afërt me Gavin Arvizo, i cili vite më vonë e akuzoi Jackson për abuzim seksual. Akuzat çuan në gjyqin penal të vitit 2005, ku artisti u shpall i pafajshëm për të gjitha 14 akuzat.

Dokumentari përfshin gjithashtu pamje të papublikuara më parë nga ferma e tij Neverland, ku Jackson – i cili kishte pranuar publikisht se ndante shtratin me fëmijë – shihet duke kaluar kohë vetëm me Arvizon.

Këto materiale janë siguruar nga kompania britanike Wonderhood Studios për një seri dokumentare me katër pjesë, të titulluar “The Trial”, e cila do të transmetohet javën e ardhshme në Channel 4. Seria fokusohet në ngjarjet që çuan drejt procesit gjyqësor të vitit 2005, një nga më të bujshmit në historinë e showbiz-it.

Një burim që ka dëgjuar regjistrimet është shprehur:

“Ka diçka thellësisht të pazakontë dhe shqetësuese në obsesionin e Michael Jackson ndaj fëmijëve, veçanërisht atyre që nuk ishin pjesë e familjes së tij.”

Ai shton se dëgjimi i zërit të Jackson duke folur në këtë mënyrë, në kontekstin e akuzave që e ndoqën për vite me radhë, ngre pikëpyetje serioze mbi gjendjen e tij mendore, mënyrën e të menduarit dhe motivet e tij reale.