Kutia e Pandorës u hap mbrëmjen e sotme nga Miri, duke sjellë një moment të ndarë mes emocioneve pozitive dhe tensioneve të forta. Pjesa e mirë për të ishte takimi me vajzën, ndërsa ajo që errësoi mbrëmjen ishte përballja me një akuzë të rëndë që i ishte drejtuar nga babai i Selin.
Në mesazhin e transmetuar, babai i Selin përdori fjalë të ashpra ndaj Mirin, duke u shprehur se “duhet të merren psikologë që të shohin perversitetin e tij”, deklaratë që shkaktoi reagime të forta brenda shtëpisë.
Pas kësaj, Miri reagoi i prekur emocionalisht, duke mohuar kategorikisht akuzat dhe duke theksuar se qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë ai që i është atribuar.
“Ndjehem i fyer, sepse nuk ka qenë ky qëllimi. Nuk jam pervers, kam parimet e mia në jetë, e di shumë mirë çfarë është dashuria e prindit për vajzën. Jam përpjekur të mbaj distancë që të mos keqkuptohem. Nëse është ndjerë i cenuar, i kërkoj ndjesë, por nuk ka qenë ky qëllimi”, u shpreh ai.
I pyetur nëse kjo situatë do të ndikojë në raportin e tij me Selin, Miri pranoi se do të ketë një ndryshim në qëndrimin e tij, duke theksuar se vlerësimi i tij për të ka qenë gjithmonë njerëzor dhe prindëror.
“E kam parë gjithmonë me admirim për moshën që ka dhe kam pasur vlerësim për të. Shpesh e shoh me syrin e vajzës sime dhe them: dashtë Zoti vajza ime bëhet një ditë si ajo. Patjetër që do të ketë ndryshim. Do ta vazhdoj marrëdhënien me më shumë rezervë, sepse nuk dua të perceptohem ashtu siç jam perceptuar”, përfundoi Miri.
