Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Gjesti ka vendosur të rikthehet në muzikë me një projekt thellësisht personal dhe emocional. Kënga e tij më e re, “Memories”, është një dedikim i ndjerë për vëllain e tij, Eldion Kelmendi, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në shtator të vitit të kaluar, vetëm 15 vjeç.
Përmes këtij projekti, artisti zgjedh të flasë hapur për dhimbjen, mungesën dhe boshllëkun që la pas humbja e vëllait. “Memories” vjen si një rrëfim intim, ku kujtimet, malli dhe pyetjet pa përgjigje ndërthuren me përpjekjen për të vazhduar përpara, edhe kur pesha emocionale duket e padurueshme. Teksti i këngës pasqyron momente të së kaluarës, lidhjen vëllazërore dhe ndjesinë e fajit që shpesh shoqëron humbjen e një personi të dashur. Çdo varg mbart emocione të forta dhe sinqeritet, duke e kthyer këngën në një dëshmi personale të dhimbjes së artistit.
Në një postim prekës në Instagram, Gjesti ka ndarë edhe arsyen pse kjo këngë ishte kaq e vështirë për t’u realizuar:
“Muzika më ka qëndruar gjithmonë pranë, si në gëzim ashtu edhe në dhimbje. ‘Memories’ është një këngë që e kam shkruar me lot dhe që e kam pasur shumë të vështirë ta regjistroj. Jam përpjekur ta kursej familjen time, që të mos i mërzis shumë. Në gjithë këtë mërzi, po mundohem të gjej lumturi që po kthehem në muzikë afër jush.”

