Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme ish-konkurrentin e emisionit “Për’puthen”, Hysen Ramaj, 29 vjeç, banues në Tiranë, nën dyshimet se ushtronte aktivitet tregtar në shkelje të ligjit, duke shitur produkte me logo të falsifikuara.
Arrestimi u krye nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Etiketa”, i cili kishte për qëllim goditjen e informalitetit dhe shmangies së detyrimeve tatimore. Gjatë kontrolleve të ushtruara, autoritetet zbuluan një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”, ku tregtoheshin veshje, çanta, syze dhe ora me logo të markave të njohura ndërkombëtare, të dyshuara si imitime, shkruan Gazeta Reforma.
Sipas njoftimit zyrtar, pronari i subjektit nuk dispononte fatura blerjeje për origjinën e mallrave dhe dyshohet se nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjet, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale. Të gjitha mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky rast vjen në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar një ofensivë më të fortë kundër tregut të mallrave të falsifikuara. Vitet e fundit, qytetarë të shumtë kanë denoncuar biznese që shesin produkte “fake” si origjinale, duke mashtruar konsumatorët me çmime të ulëta dhe premtime të rreme.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për markat tregtare, pritet një ndryshim i ndjeshëm në këtë drejtim. Ligji ndalon importin dhe eksportin e produkteve që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe parashikon konfiskimin e tyre që në pikat doganore. Po ashtu, rregullat e reja prekin edhe udhëtarët, të cilët lejohen të mbajnë vetëm mallra jo tregtare dhe brenda kufijve të përcaktuar ligjorë.
Pronarët e markave të njohura kanë të drejtë të ngrenë padi dhe të kërkojnë dëmshpërblim për përdorimin e paautorizuar të emrit dhe logos së tyre, ndërsa ligji parashikon penalitete të qarta për çdo shkelje.
Tregu i produkteve të falsifikuara ka dëmtuar rëndë bizneset e ndershme dhe ka vënë në rrezik konsumatorët, të cilët shpesh kanë blerë mallra pa cilësi, pa garanci dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin. Sfida mbetet zbatimi rigoroz i ligjit dhe bashkëpunimi mes institucioneve, për të frenuar përfundimisht këtë fenomen.

