Një bisedë e zhvilluar së fundmi në shtëpinë e Big Brother mes Brikenës, Gertës dhe Artanit, e nisur fillimisht mbi marrëdhëniet, martesën dhe raportet mes shqiptarëve dhe të huajve, është shndërruar në një diskutim shumë më të gjerë dhe delikat: dhunën në familje.
Gjatë dialogut, Brikena ndau këndvështrimin e saj mbi jetën familjare dhe rolin e gruas, duke e cilësuar veten si të gatshme për vetësakrifikim për hir të fëmijës. Ajo solli si shembull një shoqe italiane, e cila ishte ndarë nga partneri pasi ai e kishte goditur me shuplakë, duke u shprehur se vetë nuk do ta prishte një martesë 7-vjeçare dhe me fëmijë për një veprim të tillë, për sa kohë nuk bëhej fjalë për dhunë të vazhdueshme.
“A e di çfarë është problemi tek italianët dhe vendet e tera?
E zëmë shembull, Tani martohet me një goc italiane, mund të jetë goca më e mirë në botë edhe më e mirë se shqiptare, i bën dy fëmijë me të,. por problemi është që vajzat e huaja nesër, pasnesër vjen një person tjetër dhe thotë “okay mbaroi dashuria” dhe nuk i intereson a të lë ty, a keni fëmijë a jo, ama një goc shqiptare edhe nëse mbaron dashuria qëndron për respekt të fëmijëve tërë jetën dhe i përballë çdo gjëje edhe po patën ndonjë debat.
Atje njoh një shoqe time italiane që personalisht e ka lënë të dashurin e vet sepse i futi një shpulakë, unë personalisht 7 vite me qenë bashkë me një mashkull, të bëj fëmijë me një mashkull edhe për një shuplakë nuk do e kisha prishur martesën. Normalisht në qofte se është një gjë ai person dhunë, dhunë gjatë gjithë kohës ashtu jo. Nuk më ka lindur mua baba për të më rrah dikush apo gjëra të tilla. Por që njëherë duhet ti mendosh gjërat dhe fëmijën që ke sepse e dëmton dhe i shkakton trauma dhe atij. Mendon a mundet që kjo gjë të rregullohet apo jo, personalisht më mirë kisha vuajtur vetë se sa të bëjë të vuajë fëmija, çfarë faji ka ai?”
Deklarata e saj ka ngritur pikëpyetje serioze mbi normalizimin e dhunës dhe perceptimin e saj si “incident i izoluar”.
Me idenë e Brikënës të lësh partnerin për një shpullë nuk është e konceptueshme. A është normale të "vetësakrifikohesh" me idenë për fëmijën duke i lejuar sot një shuplakë dhe nesër ndoshta diçka më të rëndë? A nuk e traumatizon pikërisht fëmijën fakti që rritet në një familje ku prindërit janë fizikisht bashkë, por shpirtërisht larg njëri-tjetrit?
Të predikosh që një grua e mirë është ajo që duron gjithçka për hir të fëmijës, madje duke normalizuar dhunën, është një mesazh jo i duhur për të ardhmen e brezit të ri. Një nënë e vërtetë nuk matet nga sa mund të durojë, por nga sa e mbron dinjitetin e vet dhe sigurinë e fëmijës.
Kjo temë shkon përtej opinionit personal, ajo hap debat të madh mbi rolin e grave në marrëdhënie, perceptimin e dhunës dhe kulturën e sakrificës që shpesh i imponon shoqëria. Nuk ka asgjë heroike në të qëndruarit me dikë që të rreh, dhe asnjë fëmijë nuk përfiton nga një ambient ku frika dhe tensioni janë pjesë e përditshmërisë.
Përkundrazi, mesazhi duhet të jetë i qartë: dhuna nuk justifikohet kurrë, as nga dashuria, as nga martesa, as nga fëmijët.
