Pekini ka shpallur luftë ndaj kirurgjisë estetike. Në muajt e fundit, autoritetet kineze kanë intensifikuar kontrollet mbi industrinë e ashtuquajtur të “ritushimeve”, duke kufizuar reklamat mashtruese, mbyllur llogari online që promovojnë ndërhyrje të rrezikshme dhe goditur praktikat e paautorizuara. Qeveria deklaron se synimi është mbrojtja e shëndetit publik dhe lufta kundër modeleve të bukurisë “të shtrembëruara” të promovuara në rrjetet sociale. Megjithatë, ndërhyrjet estetike vazhdojnë të rriten, veçanërisht mes të rinjve ne zonat urbane.
Masat rregullatore po zbatohen nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe autoritete të tjera përkatëse, të cilat kanë premtuar një goditje të fortë ndaj mashtrimeve dhe praktikave të paligjshme në sektorin e mjekësisë estetike. Në fokus janë veçanërisht të ashtuquajturat “kurse intensive” disa-ditore, që ofrojnë trajnime kozmetike pa formim të mjaftueshëm mjekësor. Nisma të tilla janë aktivizuar në të paktën 20 qytete, përfshirë Pekinin dhe Shangain, dhe konsiderohen një rrezik serioz për sigurinë e pacientëve.
Rregulloret riafirmojnë se asnjë klinikë nuk mund të ofrojë shërbime estetike pa licencë të vlefshme dhe se mjekët duhet të jenë të certifikuar zyrtarisht. Paralelisht, autoritetet kanë shtuar kontrollet mbi cilësinë e produkteve si Botox dhe filler-at, si dhe kanë intensifikuar bashkëpunimin me policinë për të luftuar tregun e produkteve të falsifikuara dhe përdorimet e paligjshme.
Në qendër të fenomenit janë të rinjtë. Platformat sociale kineze si Douyin dhe Xiaohongshu ekspozojnë vazhdimisht imazhe fytyrash dhe trupash “perfektë”, duke krijuar standarde estetike gjithnjë e më të vështira për t’u arritur pa ndërhyrje. Pikërisht për këtë arsye, edhe këto platforma janë vënë nën lupën e autoriteteve, të cilat kanë vendosur kufizime për përmbajtjet që mund të nxisin vendime impulsive dhe potencialisht të rrezikshme.
Studime ndërkombëtare tregojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj imazheve të filtruara dhe të idealizuara rrit pakënaqësinë trupore te adoleshentët dhe të rinjtë, duke e bërë kirurgjinë estetike një mjet për t’iu përshtatur idealeve të imponuara. Në Kinë, gjithnjë e më shumë të rinj e konsiderojnë ndërhyrjen estetike si pjesë të një tranzicioni jetësor, shpesh përpara hyrjes në universitet ose në tregun e punës. Arsyet lidhen me konkurrencën shoqërore, mundësitë profesionale dhe vetëvlerësimin, në një shoqëri ku pamja fizike ka peshë të madhe.
Pavarësisht shtrëngimit rregullator, tregu i kirurgjisë estetike në Kinë vazhdon të zgjerohet. Raportet e sektorit flasin për një industri me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, që përfshin klinika private, platforma digjitale, influencerë, prodhues pajisjesh mjekësore dhe institucione financiare që ofrojnë kredi për të rinjtë. Sipas analistëve, rritja e shpejtë dhe shpesh e pakontrolluar e tregut ka favorizuar spekulimin, evazionin fiskal dhe praktika agresive, sidomos ndaj studentëve dhe punonjësve të rinj.
Zyrtarisht, Pekini e justifikon këtë ofensivë si një përpjekje për të frenuar atë që e quan “kapitalizëm i pamjes”, një sektor fitimprurës por potencialisht i dëmshëm për kohezionin shoqëror. Lufta kundër kirurgjisë estetike futet kështu në një strategji më të gjerë të Partisë Komuniste Kineze për të rregulluar industri të konsideruara ideologjikisht problematike.
Megjithatë, disa vëzhgues sugjerojnë një lexim më të thellë. Përtej sigurisë mjekësore dhe kontrollit të tregut, çështja prek edhe raportin mes shtetit dhe trupit. Në traditën politike kineze, trupi nuk është parë kurrë si plotësisht privat, por si pjesë e një projekti kolektiv për t’u disiplinuar. Kirurgjia estetike, si akt i autonomisë individuale dhe i vetëformësimit përmes konsumit, sfidon këtë vizion.
Në këtë kuptim, beteja e Pekinit kundër bisturisë nuk ka të bëjë vetëm me klinika ilegale apo influencerë të papërgjegjshëm. Ajo pasqyron dilemat e një shteti që përpiqet të qeverisë një shoqëri gjithnjë e më individualiste pa hequr dorë nga kontrolli politik. Sepse kur edhe fytyra kthehet në çështje shteti, pyetja nuk është më sa kushton një ndërhyrje estetike, por sa hapësirë mbetet për të vendosur se kush duam të jemi.

