Astronomët kanë zbuluar një planet të ri, potencialisht të banueshëm, rreth 146 vite dritë larg Tokës, me përmasa të ngjashme me planetin tonë dhe kushte që mund të ngjasojnë me ato të Marsit. Planeti, i quajtur HD 137010 b, rrotullohet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin dhe vlerësohet të jetë rreth 6% më i madh se Toka. Ai u identifikua nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Australia, Britania e Madhe, SHBA dhe Danimarka, duke analizuar të dhënat e mbledhura në vitin 2017 nga teleskopi hapësinor Kepler i NASA-s, gjatë misionit të tij të zgjeruar K2.
Sipas Dr. Chelsea Huang nga Universiteti i Jugut të Queensland-it, orbita e planetit zgjat rreth 355 ditë, shumë e ngjashme me atë të Tokës, dhe shkencëtarët vlerësojnë se ekziston rreth 50% mundësi që ai të ndodhet brenda zonës së banueshme të yllit të tij. “Veçantia e këtij zbulimi qëndron në faktin se ylli është vetëm rreth 150 vite dritë larg sistemit tonë diellor,” u shpreh Huang, duke e cilësuar planetin si një objektiv ideal për studime të ardhshme.
HD 137010 b u zbulua përmes metodës së tranzitit, kur planeti kaloi përpara yllit të tij dhe shkaktoi një zbehje shumë të vogël të dritës. Ky sinjal i dobët u identifikua fillimisht nga shkencëtarë qytetarë të projektit “Planet Hunters”, mes tyre edhe autori kryesor i studimit, Dr. Alexander Venner, i cili në atë kohë ishte nxënës i shkollës së mesme.
“Ky projekt ishte vendimtar për rrugën time drejt shkencës,” tha Venner, i cili më pas përfundoi doktoraturën në Australi. “Të rikthehesha dhe të zbuloja një planet kaq të rëndësishëm ishte një përvojë e jashtëzakonshme.” Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se nevojiten më shumë të dhëna për ta konfirmuar përfundimisht planetin si ekzoplanet. Astrofizikania Dr. Sara Webb, e cila nuk ishte pjesë e studimit, shpjegoi se deri tani është vëzhguar vetëm një tranzit, ndërkohë që standardi shkencor kërkon të paktën tre.
Sipas saj, ndonëse planeti ka përmasa tokësore, ai mund të jetë një botë e ftohtë dhe e mbuluar nga akulli, me temperatura që mund të zbresin nën -70°C. Edhe pse ndodhet relativisht afër në shkallë galaktike, udhëtimi drejt tij me teknologjinë aktuale do të kërkonte dhjetëra apo qindra mijëra vjet.

