KreuCelebrity

Zhdukja e Bleona Matës, flet nëna: Hallat e saj duhet të jenë në burg!

Zhdukja e Bleona Matës, flet nëna: Hallat e saj duhet të

Një dëshmi e re dhe tronditëse ka rikthyer në qendër të vëmendjes zhdukjen e Bleona Matës, vajzës së vogël nga Kukësi, e cila u zhduk pa lënë gjurmë 15 vite më parë. Së fundmi, një i moshuar ka ndarë informacione dhe detaje të rëndësishme që lidhen me rrethanat e rrëmbimit, lëvizje të dyshimta dhe elementë që mund të hapin pista të reja hetimi mbi fatin e Bleonës. Dëshmia e tij ka ngjallur shpresë, por edhe revoltë për vonesën e drejtësisë ndër vite.

E ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, nëna e Bleonës, Bukuria Mata, foli me dhimbje dhe revoltë për 15 vitet pa përgjigje dhe pa drejtësi. Ajo akuzoi drejtpërdrejt hallat e vajzës, duke deklaruar se ato duhet të ndëshkohen për rrëmbimin.

“Kjo dhimbje po më djeg e më përvëlon çdo ditë. Por shpresa ime nuk është shuar, besoj se një ditë do ta përqafoj sërish dhe do t’ia dëgjoj zërin. Ai zotëria dinte shumë gjëra dhe e falënderoj që foli. Kur ka qenë te ‘Njerëzit e Humbur’, fshatarët e fshehën të vërtetën nga policia nga frika”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ditën e zhdukjes është parë një automjet me targa të Vlorës, ndërsa drejtësia ka dështuar rëndë duke lejuar që kjo plagë të mbetet e hapur për kaq shumë vite.

“Pse u deshën 15 vite? Ai zotëria ka thënë se familja nuk e lejonte të fliste, por nuk donte të vdiste me këtë brengë. Nëse drejtësia do të funksiononte, sot nuk do të ishim këtu dhe pesë vajza nuk do të ishin ende të lira. Ato duhet të futen në burg derisa të thonë të vërtetën. E dinë shumë mirë pse e kanë tregtuar vajzën time”, tha mes lotësh Bukuria.

Nëna e Bleonës hodhi akuza të forta edhe ndaj babait të vajzës, duke deklaruar se ai nuk e ka denoncuar kurrë zhdukjen.

“Si mund të quhet baba ai që nuk kërkon fëmijën e vet? Vajza u zhduk dhe ai heshti. Gjithmonë ishte nën presionin e vëllezërve që të mos nxirrte motrën në televizion. Unë denoncoja, ai tërhiqej. Nuk e di çfarë zemre ka një baba që nuk kërkon evladin e vet”, përfundoi ajo.