Lidhja mes Elhaida Danit dhe Ledian Agalliajt ka qenë që në nisje nën lupën e publikut. Që nga momenti kur romanca e tyre u bë publike, çifti është shoqëruar vazhdimisht nga zëra për kriza dhe ndarje, por deri më sot, çdo herë i kanë kaluar thashethemet duke u shfaqur sërish bashkë.
Së fundmi, megjithatë, dyshimet janë rikthyer më të forta se kurrë. Një detaj i vënë re nga ndjekësit në rrjetet sociale ka ndezur aludimet: Elhaida dhe Lediani nuk e ndjekin më njëri-tjetrin në Instagram, një veprim që shpesh interpretohet si shenjë ftohjeje në marrëdhënie.
Situata bëhet edhe më intriguese nga fakti se këngëtarja ka hequr nga profili i saj çdo postim ku shfaqej me partnerin, ndërsa Lediani ka zgjedhur të fshijë shumicën e fotove me Elhaidën, duke lënë ende disa të tjera aktive. Ky detaj ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme mbi gjendjen reale të çiftit.
Ndërkohë, Elhaida ndodhet në Shangai, ku është e angazhuar me projekte muzikore dhe ka ndarë vetëm momente nga udhëtimi dhe puna e saj, pa asnjë referencë për jetën personale. Nga ana tjetër, Lediani ka publikuar postime që tregojnë se ai nuk ndodhet pranë saj gjatë kësaj periudhe.
Aktualisht, mes tyre mungon çdo komunikim publik, çka vetëm sa shton pikëpyetjet. Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një moment tensioni të përkohshëm apo për një ndarje që këtë herë mund të jetë përfundimtare.


