Ditën e sotme skena dhe kinematografia shqiptare humb një prej figurave të saj më të njohura, aktorin Fitim Makashi, i cili ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare. Me karrierë që spikati si në teatër ashtu edhe në film, Makashi la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe role që do të kujtohen për breza.
Fitim Kabashi u lind më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Arteve, ku përfundoi në 1967, dhe më pas u emërua pedagog.
Karrierën e tij artistike e nisi po në vitin 1967 me filmin “Dueli i heshtur”, duke vijuar me role të shumta në kinematografi, përfshirë: “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegjia” (1972), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992).
Në skenën teatrale, Makashi la pas role të paharrueshme, si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa” dhe Filipoviçi në “Inspektori”, ky i fundit duke qenë edhe roli i tij i fundit në teatër.
Fitim Makashi ishte gjithashtu babai i këngëtarit të njohur të muzikës së lehtë, Redon Makashi.
Në një intervistë të fundit, djali i tij dhe këngëtari i njohur Redon Makashi zbuloi se aktori po luftonte me jetën dhe me sëmundjen e demencës.
Trashëgimia e tij artistike mbetet një pjesë e rëndësishme e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, duke lënë pas role që do të kujtohen për breza.
