
Është ndarë nga jeta aktori i njohur i skenës dhe kinematografisë shqiptare, Fitim Makashi. Lajmi për humbjen e tij është bërë i ditur më herët, ndërsa së fundmi ka reaguar edhe i biri, këngëtari Redon Makashi, i cili ka ndarë me publikun fjalë prekëse dhe detaje mbi ceremonitë mortore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Redon Makashi ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të të atit, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes në këto momente të vështira. Ai ka bërë të ditur se homazhet në nderim të aktorit Fitim Makashi do të mbahen nga ora 11:00 deri në 13:00 pranë “Art Turbina”, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Varrezat e Sharrës, në Tiranë.
Fitim Makashi ishte një emër i rëndësishëm i artit shqiptar, i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, ai kreu studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe gjatë karrierës së tij kontribuoi si aktor dhe pedagog në Teatrin Popullor, sot Teatri Kombëtar. Krahas teatrit, ai la gjurmë edhe në kinematografi, me role në filma të njohur si “Dueli i heshtur”, “Njësiti gueril”, “Ndërgjegja”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Tre njerëz me guna”, “Shpella e piratëve” dhe “Vdekja e kalit”.
Mesazhi i Redon Makashit ka prekur ndjekësit, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e një prej figurave të dashura të artit shqiptar.
