
Autoritetet norvegjeze kanë vënë në pranga këtë fundjavë Marius Borg Højby, djalin e Princeshës së Kurorës Mette-Marit, vetëm pak ditë përpara se ai të përballet me drejtësinë për akuza shumë të rënda. Arrestimi u krye të dielën në mbrëmje nga policia e Oslos, pas një incidenti të ri penal.
Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Oslos, 29-vjeçari dyshohet se ka sulmuar një grua, e ka kërcënuar atë me thikë dhe ka shkelur një urdhër ndalimi kontakti, duke u përfshirë sërish në sjellje kriminale serioze. Ngjarja e fundit raportohet të ketë ndodhur vetëm dy ditë para nisjes së procesit gjyqësor për akuzat e mëparshme.
Højby do të dalë këtë të martë para Gjykatës së Qarkut të Oslos, ku përballet me gjithsej 38 vepra penale, mes tyre katër raste të dyshuara përdhunimi, dhunë fizike dhe kërcënime ndaj disa ish-partnereve. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për katër javë, duke theksuar rrezikun e përsëritjes së veprave penale dhe cenimit të viktimave.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se i akuzuari ka pranuar disa shkelje më të lehta ligjore, ndërsa ka mohuar me forcë akuzat më të rënda, veçanërisht ato që lidhen me dhunën seksuale. Ndërkohë, disa nga ish-partneret kanë depozituar padi civile, ndërsa një vendim gjykate i ndalon atij çdo kontakt me to.
Nëse shpallet fajtor, Marius Borg Højby përballet me një dënim maksimal deri në 16 vite burg, në përputhje me ligjet norvegjeze. Procesi pritet të zgjasë deri në mesin e muajit mars dhe ka ngjallur interes të madh publik, për shkak të peshës së akuzave dhe lidhjes së tij me familjen mbretërore.
Situata ka vënë familjen mbretërore norvegjeze nën një presion të shtuar, veçanërisht pas publikimit të dokumenteve të deklasifikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, ku zbulohet se Princesha Mette-Marit ka pasur kontakte me Jeffrey Epstein në periudhën 2011–2014. Edhe pse këto fakte nuk kanë lidhje direkte me çështjen penale të Højbyt, ato kanë rritur ndjeshëm vëmendjen mediatike dhe reagimin e opinionit publik.
