Françeska Murati, një nga emrat më të komentuar të edicionit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, duket se po kalon një periudhë ndryshimesh të rëndësishme në jetën e saj personale. Edhe pse gjatë qëndrimit në reality show zgjodhi të mbante një profil të ulët dhe të mos ndajë detaje nga jeta familjare, zhvillimet e fundit kanë ngjallur interes të madh te ndjekësit.
Së fundmi, ish-banorja ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi ku shfaqet e lumtur dhe e buzëqeshur, ndërsa pranë saj bie në sy një buqetë e madhe me trëndafila rozë. Pa dhënë asnjë informacion se kush fshihet pas këtij gjesti, Françeska ka shoqëruar postimin me një mesazh që lë të kuptohet se po përjeton një fillim të ri në aspektin sentimental pas thashethemeve për ndarjen nga bashkëshorti.

Deklarata e saj për një “derë më të mirë që hapet” pas mbylljes së një tjetër është interpretuar nga publiku si sinjal i një kapitulli të ri, veçanërisht pas muajsh spekulimesh për përfundimin e martesës së saj. Dyshimet u përforcuan edhe nga vendimi i saj për t’u zhvendosur në Tiranë së bashku me djalin.
Pas daljes nga formati televiziv, Françeska u bë shpesh pjesë e diskutimeve në rrjet, sidomos pas deklaratës së saj të bujshme se ish-partneri “nuk do të gjejë kurrë më mirë se ajo”, e cila u përhap me shpejtësi dhe u komentua gjerësisht.
