Kasti i Festivalit të 76-të të Sanremos është pasuruar me një emër të madh të televizionit ndërkombëtar. Aktori turk Can Yaman, i cili ka magjepsur miliona shikues, do të ngjitet në skenën e teatrit Ariston të martën, më 24 shkurt, në mbrëmjen hapëse të festivalit.
36-vjeçari do t’i bashkohet drejtuesit Carlo Conti dhe këngëtares Laura Pausini, duke formuar një treshe hapëse që premton shikueshmëri të lartë. Lajmi u paralajmërua fillimisht nga vetë Conti në Instagram, përmes një memeje ironike ku ai shfaqej si “Tigri Malajzian”, me titullin “Carlokan” dhe mbishkrimin enigmatik “co-co” (bashkëprezantues). Pak orë më vonë, konfirmimi zyrtar erdhi nga Rai.
View this post on Instagram
Pjesëmarrja e Yaman nuk është rastësore. Aktori sapo ka shënuar sukses të madh me serialin “Sandokan” në Rai 1, i cili arriti një mesatare prej 5.4 milionë shikuesish dhe 30.8% audience, duke rikthyer figurën legjendare të krijuar nga Salgari, 50 vjet pas interpretimit ikonik të Kabir Bedi.
I lindur në Stamboll në vitin 1989, Can Yaman ka ndërtuar hap pas hapi lidhjen e tij me publikun italian, nga “Che Dio ci aiuti 6”, te “Viola come il mare”, e deri te projektet e tij të fundit ndërkombëtare. Aktualisht, ai ndodhet në xhirime në Spanjë për thrillerin romantik “El laberinto de las mariposas”, por do të rikthehet në Itali për Sanremon, përpara se të vazhdojë punën për sezonin e dytë të “Sandokan”.
Së fundmi, jeta private e aktorit ka tërhequr vëmendjen e mediave pas një operacioni antidrogë në klubet e natës në Stamboll, ku Yaman u ndalua për verifikime. Situata u sqarua menjëherë dhe aktori u lirua pa asnjë pasojë ligjore, duke vijuar normalisht angazhimet e tij profesionale.
