
Timothée Chalamet ka dhënë sinjale të qarta se martesa me Kylie Jenner është diçka që ai e konsideron seriozisht. Aktori 30-vjeçar foli për herë të rrallë për jetën e tij private gjatë një eventi promovues në Londër, ku prezantoi filmin e tij më të ri, “Marty Supreme”.
Gjatë një bisede me një intervistues, Chalamet u pyet nëse ishte në një lidhje dhe ai e konfirmoi këtë me një përgjigje të shkurtër dhe buzëqeshje. Pyetja për martesën e vuri për një çast në siklet aktorin, i cili me humor u shpreh se ishte një temë shumë personale dhe se po “vihej në pozitë të vështirë”.
Megjithatë, pas këtij momenti hezitimi, Chalamet u shpreh qartë se e sheh martesën si pjesë të së ardhmes së tij. Përgjigjja e tij u prit me duartrokitje nga publiku i pranishëm, ndërsa intervistuesi vijoi me shaka duke i thënë të mos i ftonte të gjithë në dasmë.
Së fundmi, media amerikane Page Six raportoi se Chalamet dhe Jenner, 28 vjeçe, bashkëjetojnë në Los Angeles prej më shumë se një viti. Burime pranë çiftit i kanë përshkruar ata si shumë të lidhur dhe kanë theksuar se marrëdhënia e tyre është në një fazë tejet serioze.
Po sipas këtyre burimeve, aktori është përfshirë edhe në jetën familjare të Jenner, duke krijuar një raport të afërt me dy fëmijët e saj, Stormi dhe Aire, nga lidhja e mëparshme me Travis Scott.
Çifti është shfaqur shpesh së bashku në evente të rëndësishme gjatë këtij viti, përfshirë Critics’ Choice Awards dhe Golden Globe Awards. Në të dyja rastet, Chalamet falënderoi publikisht partneren e tij gjatë fjalimeve të pranimit të çmimeve.
Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner u përfolën për herë të parë si çift në fillim të vitit 2023 dhe që prej asaj kohe, lidhja e tyre ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
