Publikimi i dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein ka rikthyer në vëmendje globale çështjen e abuzimeve dhe perversitetit brenda elitave të fuqishme. Në këtë kontekst, analisti Arjan Curri gjatë analizës së tij në Top Chnnel deklaroi se fenomene të ngjashme nuk janë të huaja as për Shqipërinë, duke theksuar se në çdo shoqëri, veçanërisht në ato të vogla, krijohen elita që ndihen mbi ligjin.
Sipas Currit, perversiteti tek njerëzit me pushtet dhe pasuri ekstreme shndërrohet në një lloj ideologjie, pasi ata humbasin kënaqësinë nga çdo gjë tjetër materiale. “Kur pushteti shkon në maksimum dhe i ke të gjitha, e vetmja gjë ku të rri mendja është perversiteti”, u shpreh ai.
Analisti theksoi se edhe në Shqipëri ka individë që, duke pasur gjithçka, mendojnë se nuk i kap ligji dhe se mund të bëjnë çfarë të duan. “Shoqëritë e vogla krijojnë elita dhe këto elita mendojnë se janë të paprekshme”, tha Curri.
Ai solli edhe një paralelizëm historik, duke përmendur Perandorin August dhe vilën e tij në ishullin Kapri, ku sipas rrëfimeve historike zhvilloheshin akte të rënda imorale nën vëzhgimin e të pasurve, për të treguar se ky fenomen nuk është i ri, por përsëritet në forma të ndryshme përgjatë historisë.
Sipas Currit, në një moment individët ose vendosin t’i ndalojnë këto sjellje, ose sistemi i përjashton. Ai shtoi se shpesh konservatorë ekstremë dhe liberalë ekstremë bashkohen pikërisht në këto devijime morale.
“Njerëzit që merren me këto perversitete mendojnë se kështu do ta ‘kalojnë vdekjen’. Është një iluzion, sepse prapë do vdesin, por vdesin me një ide tjetër nga ne të tjerët”, përfundoi Curri.
