Filantropistja miliardere Melinda French Gates ka dhënë një intervistë së fundmi ku ka deklaruar se përmendja e ish-bashkëshortit të saj, bashkëthemeluesit të Microsoft, Bill Gates në dosje e reja që lidhen me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein, ka rikthyer “kohë shumë të dhimbshme” nga martesa e tyre.
Në një intervistë për podcastin Wild Card, ajo shprehu “trishtim të jashtëzakonshëm” për akuzat që lidhen me Epstein dhe tha se personat e përmendur në këto dokumente, përfshirë ish-bashkëshortin e saj, duhet të japin përgjigje vetë.
“Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë këtij llumi. Për mua është e vështirë sa herë që dalin në dritë këto detaje, sepse më rikthejnë kujtimet e disa periudhave shumë të dhimbshme në martesën time. Çfarëdo pyetjesh që mbeten, për gjëra që as nuk mund t’i kuptoj plotësisht, ato pyetje u takojnë atyre personave dhe edhe ish-bashkëshortit tim. Ata duhet të përgjigjen për këto gjëra, jo unë”. tha ajo. Çifti u divorcua në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë.
Dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përfshijnë një pretendim nga Epstein se Bill Gates e kishte kontaktuar për një sëmundje seksualisht të transmetueshme të cilën donte ta fshinte nga bashkëshortja asokohe. Bill Gates i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur “absolutisht absurde”.
“Pretendime të tilla nga një gënjeshtar i provuar dhe i pakënaqur janë plotësisht të pavërteta,” tha një zëdhënës i Bill Gates. BBC ka kontaktuar përfaqësuesit e tij lidhur me komentet e Melinda French Gates.
Bill Gates nuk është akuzuar për shkelje ligjore nga asnjë prej viktimave të Epstein dhe përfshirja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton veprimtari kriminale.
Në intervistë, Melinda French Gates shtoi “Për mua është personalisht e vështirë sa herë që dalin në pah këto detaje, sepse më rikthejnë kujtime shumë të dhimbshme nga martesa ime.”
Ajo theksoi se çdo pyetje e mbetur rreth këtyre çështjeve u përket personave të përfshirë “Ata duhet t’u përgjigjen këtyre gjërave, jo unë.”
Mediat amerikane kanë raportuar më herët se Melinda French Gates ishte e shqetësuar për lidhjet e bashkëshortit të saj me Epstein edhe para ndarjes së tyre. Pas shpalljes së divorcit, Bill Gates pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një punonjëse të Microsoft në vitin 2019.
Akuzat ndaj Bill Gates janë pjesë e dokumenteve të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë. Dy email-e të datës 18 korrik 2013 duket se janë hartuar nga Epstein, megjithëse nuk është e qartë nëse janë dërguar ndonjëherë te Gates.
Bill Gates dhe përfaqësuesit e tij kanë minimizuar ndër vite lidhjet e tij me Epstein, duke deklaruar se janë takuar vetëm disa herë për darka lidhur me një projekt filantropik që nuk u realizua kurrë.
