Hyrja e papritur e Florjan Prinit në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 5” ka sjellë dinamika të reja në lojë, por paralelisht ka hapur edhe diskutime jashtë saj. Teksa publiku po njihet me profilin e tij karizmatik dhe sjelljen dinamike brenda formatit, dokumente dhe burime nga mediat italiane hedhin dritë mbi një episod të errët nga e shkuara e tij.
Sipas arkivave të policisë italiane dhe raportimeve mediatike të kohës, emri i Florjan Prinit rezulton të jetë përfshirë në një operacion policor të zhvilluar rreth një dekadë më parë në Rimini, konkretisht në zonën e Torre Pedrera-s.
Dosja e vitit 2014
Në vitin 2014, autoritetet italiane arrestuan Prinin nën akuzat e shfrytëzimit dhe favorizimit të prostitucionit. Hetimet zbuluan se ai vepronte në bashkëpunim me një partnere, e identifikuar asokohe si Fabjana Hoxha, duke ndërtuar një skemë zhvatjeje ndaj vajzave që ushtronin prostitucion në bregdetin italian.
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se Prini u kërkonte vajzave një pagesë ditore prej rreth 50 eurosh, e njohur si “qira e trotuarit”, për t’u lejuar të ushtronin aktivitetin në zonë. Mosrespektimi i kësaj pagese, sipas dokumenteve, shoqërohej me kërcënime dhe ushtrim dhune fizike.
Këto elementë çuan në denoncimin e rastit dhe më pas në ndërhyrjen e policisë italiane, e cila finalizoi operacionin me arrestime dhe sekuestrime.
