Këngëtari i njohur Shpat Kasapi u nda nga jeta si pasojë e një ataku kardiak, teksa ndodhej në Itali në shoqërinë e bashkëshortes së tij, Selvijes, dhe djalit të tyre.
Pas humbjes së tij të papritur, bashkëshortja e këngëtarit është përballur me një valë komentesh dhe sulmesh në rrjetet sociale, çka ka sjellë reagime edhe nga familjarët e Shpatit. Më herët, nëna e artistit doli publikisht për të theksuar marrëdhënien e mirë që kishte me Selvijen dhe për të kërkuar ndalimin e gjykimeve dhe akuzave të pabaza.
Së fundmi, në emisionin “Living Day”, ka reaguar edhe halla e këngëtarit, Flora Kasapi, e cila u shpreh se ndaj Selvijes është bërë një padrejtësi e madhe, duke dënuar ashpër komentet dhe kritikat publike.
“Le ta duam apo ta urrejmë Shpatin dhe Selvijen, kjo mbetet çështje personale. Por duhet kuptuar një gjë: një njeri i shëndetshëm, i adhuruar nga të gjithë, për disa sekonda ikën në krahët e tu. Çfarë mund të thuhet më shumë? Kjo është një tragjedi njerëzore. Ndaj Selvijes është bërë një padrejtësi e madhe. Askush nuk e di kush është ajo në të vërtetë dhe askush nuk ka jetuar me të. Nëse Shpati e ka zgjedhur për partnere dhe për nënën e djalit të tij, si është e mundur që një shoqëri e tërë të ndjehet e lirë të gjykojë?”, u shpreh ajo, duke shtuar se nëna e këngëtarit ka vendosur t’i mbyllë këto tema dhe t’u japë fund komenteve dashakeqe.

