Babai i Selin, një prej banoreve të “Big Brother VIP 5”, ka reaguar sot për herë të parë për zërat dhe perceptimet që kanë qarkulluar në media rreth vajzës së tij. Në një lidhje telefonike për emisionin “Shqipëria Live”, ai e përshkroi Selin si një vajzë të arsimuar, të kulturuar dhe të edukuar me vlera, duke theksuar respektin dhe përkushtimin që ajo ka treguar gjithmonë ndaj familjes.
Gjatë intervistës, ai kërkoi më shumë ndjeshmëri nga publiku dhe media, duke theksuar se jeta personale nuk duhet të kthehet në objekt gjykimi. Sipas tij, Selin nuk përkon aspak me portretizimet që janë krijuar nga disa mesazhe apo interpretime të jashtme, duke garantuar se ajo nuk është personi që është përshkruar në disa raste.
I pyetur nëse vajza e tij kishte arritur të kuptonte mesazhin e letrës që ai i kishte dërguar disa ditë më parë, babai u shpreh se Selin nuk ka dijeni për atë që ndodh jashtë shtëpisë së “Big Brother”, duke shtuar se ajo nuk mund të perceptojë realitetin apo diskutimet që bëhen për të jashtë këtij ambienti. “Absolutisht që nuk e ka kuptuar mesazhin. Ajo nuk e di çfarë dimë ne jashtë. Ajo nuk e ndjen atë që ndjejmë ne. Unë mendoj se ajo nuk ka kuptuar asgjë. Ajo nuk kupton të parën që çfarë flitet jashtë. Duhet të kuptojë të parën, pastaj të dytën”, tha ai.
Sa i përket situatës së komentuara me ndarjen e krevatit me Mirin, ai u shpreh i prerë se vajza e tij nuk ka bërë asgjë të gabuar, duke theksuar besimin e plotë që ka ndaj saj. Ai shtoi se Selin nuk ka hyrë në shtëpi për përfitime financiare, por si pjesë e një eksperience, duke e cilësuar televizionin si një “portë të madhe” për të ardhmen.
Reagimi i tij vjen në një moment kur Selin ndodhet në qendër të vëmendjes mediatike, ndërsa familja kërkon që jeta private e saj të mos gjykohet mbi thashetheme apo informacione të pjesshme.

