Për t’u shndërruar në Odiseun legjendar, Matt Damon nuk u mjaftua vetëm me interpretimin ai e vuri trupin e tij në provë ekstreme. Aktori 55-vjeçar ka zbuluar se gjatë xhirimeve të filmit epik “The Odyssey”, humbi një sasi të konsiderueshme peshe, duke zbritur në 167 paund (rreth 76 kg), peshë që nuk e kishte pasur që nga vitet e gjimnazit.
Në një rrëfim të sinqertë në podcastin New Heights të Jason dhe Travis Kelce, Damon tregoi se kërkesa e regjisorit Christopher Nolan ishte e qartë dhe e pamëshirshme: Odiseu duhej të ishte “i dobët, por i fortë”, një trup që pasqyron një hero të lodhur nga lufta dhe udhëtimet e gjata, por ende të pathyeshëm.
“Isha në formë të jashtëzakonshme, por ishte shumë e vështirë. Humbja e peshës ishte drastike. Zakonisht jam mes 84 dhe 91 kilogramë, ndërsa për këtë film xhirimet u ktheva në rreth 76 kilogramë. Nuk kam qenë kaq i lehtë që nga shkolla e mesme.” rrëfeu aktori, duke theksuar se gjithçka erdhi si rezultat i një trajnimi intensiv dhe një diete tejet të rreptë.
Një nga ndryshimet më të mëdha ishte eliminimi i plotë i glutenit nga ushqimi i tij. Ajo që nisi si një vendim shëndetësor, u shndërrua në një mënyrë jetese. “Jam dorëzuar përfundimisht. Jam gluten-free në gjithçka. Edhe birrë pa gluten kam gjetur”, tha ai me ironi, duke shtuar se trupi i tij tashmë është përshtatur plotësisht me këtë regjim.
Damon e krahasoi këtë proces me përgatitjen e një atleti profesionist, ku çdo ditë është e ndërtuar rreth stërvitjes, disiplinës dhe sakrificës. “Është si një sezon i tërë përgatitor. E gjithë jeta rrotullohet rreth rolit”, theksoi ai.
“The Odyssey” vjen si një nga projektet më ambicioze të Christopher Nolan, një adaptim madhështor i poemës së Homerit, i xhiruar në mbarë botën me teknologjinë më të avancuar IMAX. Filmi do të sjellë në ekran Luftën e Trojës, Kalin legjendar dhe udhëtimin e gjatë e të dhimbshëm të Odiseut drejt shtëpisë.
Me një kast yjesh që përfshin Tom Holland, Anne Hathaway, Zendaya, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Charlize Theron, Elliot Page dhe Mia Goth, “The Odyssey” pritet të jetë një spektakël epik që do të lërë gjurmë. Por për Matt Damon, ky film tashmë ka një çmim të paguar: trupin e tij të transformuar për një hero që sfidon kohën.
