Gruaja që u qëllua për vdekje brenda makinës së saj gjatë një operacioni anti-emigracionit te paligjshem në Minneapolis ishte një poete, shkrimtare dhe nënë e tre fëmijëve. Nëna e saj ka rrëfyer se ajo ishte “e tmerruar” në momentet kur tentoi të largohej nga vendngjarja.
Viktima është identifikuar si Renee Nicole Good, 37 vjeçe, e cila ndodhej në timonin e një automjeti tip Honda Pilot kur u përball me agjentë të ICE gjatë një bastisjeje të emigracionit të mërkurën. Ngjarja është regjistruar edhe në video, e cila tashmë po qarkullon gjerësisht.
Nëna e saj, Donna Ganger, konfirmoi për Minnesota Star Tribune se viktima ishte vajza e saj dhe se ajo jetonte në zonën e Twin Cities me partnerin e saj. Në një reagim emocional, Ganger e përshkroi Renee-n si “një nga njerëzit më të mirë që kam njohur ndonjëherë”.
“Ishte jashtëzakonisht e dhembshur, gjithë jetën e saj u kujdes për të tjerët. Ishte e dashur, falte dhe ishte e përzemërt. Një qenie njerëzore e mrekullueshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se ishte njoftuar për vdekjen e vajzës të mërkurën në mëngjes.
Sipas familjes, Good nuk kishte asnjë lidhje me protestat kundër ICE. Nëna e saj theksoi se ajo “nuk merrej aspak me gjëra të tilla”.
Një llogari në Instagram, që besohet se i përkiste Renee Good-it, e përshkruante atë si “poete dhe shkrimtare, grua, nënë dhe kitariste nga Kolorado”.
Good ishte e martuar me Timmy Ray Macklin Jr., i cili ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 36-vjeçare. Renee kishte spikatur edhe në fushën akademike dhe artistike. Në prill të vitit 2020, Departamenti i Anglishtes i Universitetit Old Dominion në Virxhinia e përmendi si fituese të një çmimi për poezi. Në të njëjtin postim thuhej se ajo ishte me origjinë nga Colorado Springs dhe se drejtonte një podcast së bashku me bashkëshortin e saj të ndjerë.
“Në kohën e lirë, kur nuk shkruan, nuk lexon apo nuk flet për letërsinë, ajo shikon filma dhe krijon art me vajzën e saj dhe dy djemtë,” thuhej në përshkrim.
Departamenti i Policisë së Minneapolis-it bëri të ditur se oficerët mbërritën në vendngjarje – rreth një milje larg vendit ku u vra George Floyd në vitin 2020 – dhe e gjetën Good-in me një plagë plumbi në kokë. U tentua reanimimi me CPR, por ajo u shpall e vdekur në një spital lokal.
Deri më tani, ICE nuk ka bërë publik identitetin e agjentit që hapi zjarr. Dëshmitarët dhe pamjet filmike tregojnë se Good po përpiqej të largohej me makinë në momentin kur u qëllua.

