Aktori spanjoll dhe fituesi i çmimit Oscar, Javier Bardem, ka reaguar publikisht ndaj zërave se është futur në “listën e zezë” të studios Paramount për shkak të qëndrimit të tij në mbështetje të Palestinës, duke deklaruar se kjo nuk e ka befasuar aspak.
Bardem ishte një nga nënshkruesit e një letre të hapur, së bashku me aktorë dhe profesionistë të industrisë së filmit, ku ata shprehnin refuzimin për të bashkëpunuar me kompani që mbështesin Izraelin. Pikërisht ky angazhim publik thuhet se ka sjellë reagimin e Paramount, e cila, sipas raportimeve, e ka përfshirë aktorin në një listë të zezë, nën drejtimin e kryesuesit David Ellison, bashkë me emra të tjerë të njohur të Hollivudit.
Në një intervistë për Zeteo, Bardem u shpreh i qartë:
“Nuk është aspak për t’u habitur. Nuk jam i befasuar. Problemi nuk është lista e tyre e zezë, por me kë vendosni të punoni. Kjo është diçka që do të dalë në pah në vitet në vijim.”
Aktori ndjeu gjithashtu nevojën të sqarojë pozicionin e nënshkruesve të letrës, duke theksuar se qëndrimi i tyre nuk është kundër individëve apo identiteteve:
“Ne nuk jemi kundër njerëzve për shkak të kombësisë, fesë apo etnisë së tyre. Ne po mbajmë përgjegjëse kompanitë dhe subjektet që mbështesin atë që ne e konsiderojmë gjenocid, aparteid dhe pushtim të paligjshëm.”
Letra është nënshkruar nga një numër i madh figurash të njohura të industrisë së filmit, mes tyre Yorgos Lanthimos, Ava DuVernay, Asif Kapadia, Adam McKay, Olivia Colman, Mark Ruffalo, Riz Ahmed, Tilda Swinton, Emma Stone, Gael García Bernal, Ayo Edebiri dhe shumë të tjerë.
Mbështetja e Bardem për Palestinën është shfaqur edhe simbolikisht, pasi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Emmy në shtator 2025, ai u paraqit në tapetin e kuq i veshur me një shall palestinez.

