KreuCelebrity

Dena dhe Fladia: Një lidhje e veçantë nënë–bijë, ekskluzivisht për Bordo!

Dena dhe Fladia: Një lidhje e veçantë

Në një intervistë ekskluzive për revistën Bordo, dyshja e njohur e rrjeteve sociale, Dena dhe Fladia ndalen tek një nga temat më të ndjeshme dhe aktuale të kohës: krijimi i përmbajtjes në rrjetet sociale me fëmijët dhe përgjegjësia që kjo sjell.

E njohur për videot e saj autentike dhe marrëdhënien e veçantë me të bijën, Dena thekson se suksesi në rrjetet sociale nuk duhet të vijë kurrë në kurriz të mirëqenies së fëmijës.

“Është shumë e rëndësishme që të dëgjosh fëmijën. Fëmijët jo gjithmonë kanë dëshirë ose janë gati të krijojnë kontent, edhe kur e thonë me fjalë. Prindi duhet ta kuptojë këtë,” shprehet ajo.

Sipas Denës, përmbajtja që prodhohet me fëmijët duhet të ketë vlerë jo vetëm për publikun, por sidomos për fëmijët e tjerë që e konsumojnë atë çdo ditë në rrjete sociale. Ajo thekson se ndikimi vizual dhe emocional i këtyre platformave është i madh dhe kërkon kujdes të shtuar.

“Kontenti që krijojmë me fëmijët tanë duhet të jetë i bukur dhe i shëndetshëm për fëmijët e tjerë. Duhet të mendojmë gjithmonë si do të duket në sytë e tyre dhe çfarë mesazhi po u përcjellim,” shton Dena.

Fladia, nga ana tjetër, shfaqet e qetë dhe e ndërgjegjshme për këtë proces, duke treguar se marrëdhënia e saj me të ëmën bazohet mbi komunikimin dhe respektin. Ajo pranon se jo çdo ditë është e njëjtë dhe se spontaniteti është çelësi i videove më të suksesshme.

Dena nënvizon se famën në rrjetet sociale e sheh si një përgjegjësi, jo thjesht si popullaritet. Ndalesat në rrugë, fjalët e mira nga ndjekësit dhe ndikimi tek moshatarët e Fladias janë elementë që e bëjnë edhe më të vetëdijshme për rolin që ka.

“Nëpërmjet rrjeteve sociale mund të japësh mesazhe shumë të bukura. Ke platformën tënde dhe mund të bësh çfarë të duash me të, por kjo liri vjen gjithmonë me përgjegjësi,” shprehet ajo.

Në këtë proces, marrëdhënia mes Denës dhe Fladias shkon përtej roleve tradicionale të nënës dhe vajzës. Ato ndajnë gjithçka bashkë, duke komunikuar herë si shoqe, herë si kolege, pa humbur asnjëherë thelbin e lidhjes nënë–bijë.

“Ne bëjmë çdo gjë bashkë. Mund të flasim si shoqe, mund të flasim si kolege, por mbi të gjitha kemi një marrëdhënie nënë–bijë që është shumë e bukur. Unë e adhuroj këtë lidhje dhe jam shumë e lumtur që jam bërë nënë në moshë të re, sepse i ka dhënë shumë ngjyra dhe shumë jetë jetës sime,” shton Fladia

Në një realitet digjital ku fëmijët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rrjeteve sociale, Dena dhe Fladia paraqiten si një shembull i një qasjeje të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme, duke treguar se përmbajtja mund të jetë njëkohësisht argëtuese, autentike dhe me vlera pozitive.

Një mesazh i qartë për prindërit dhe krijuesit e përmbajtjes: dëgjimi i fëmijës dhe respektimi i kufijve të tij mbeten baza e çdo suksesi afatgjatë, brenda dhe jashtë ekranit.


Intervista e plotë më poshtë: