
Sapo mbërrita në Mynih, kur kalova doganën, polici kufitar më pyet: Qëllimi i vizitës? Munda të thosha - Dua Lipa! - "Ah, sigurisht, Dua Lipa”, tha ai dhe më bëri me shenjë të kaloja. Është e kuptueshme që emri i saj ka aftësi të thyejë çdo kufi. Në orën 20:45, vetëm 15 minuta para fillimit të shfaqjes, Dua Lipa është e mbledhur me trupën e baletit dhe grupin e saj muzikor. “Më pëlqen shumë të performoj me ju”, thotë ajo, pastaj vendos krahun në mes të një rrethi duarsh dhe ata bëjnë një këngë: Ji elektrik, zemër! Ji elektrik, zemër…! Prindërit e Duas janë aty: nëna e saj, Anesa është nervoze, si gjithmonë para se Dua të performojë.
“I dëgjoj njerëzit që bërtasin dhe zemra më rreh fort” – më tregon Dua para se të ngjitet në skenë ndërsa mijëra zëra ngjajnë si një i vetëm, duke thirrur emrin e saj.
Dua Lipa, 30 vjeçe, shfaqet mbi një unazë zjarri me një fustan të bardhë me dantella dhe personazhi i saj skenik, është një përzierje e perëndeshës dhe mbretëreshës së muzikës pop. Ajo ka nisur turneun botëror për albumin e fundit, “Radical Optimism”. “Ajo ka lindur për skenën. E ka këtë talent të jashtëzakonshëm për t'u lidhur me audiencën e saj”, më thotë regjisori Pedro Almodóvar, njëkohësisht edhe mik i Lipës. “Bukuria e saj më surprizon gjithmonë, është kaq e gjallë dhe ngjitëse. Mund ta bëjë të gjithë sallën të kërcejë sikur të ishte një klub, me atë tonin e saj të veçantë si të ngjirur, të cilin e dua”. Për gati një dekadë, Dua Lipa ka marrë vëmendjen e pandërprerë të medias dhe zemrat e miliona fansave në të gjithë globin. Takohem me Duan në Mountain, një restorant me yje Michelin dhe ajo vjen menjëherë pasi ka kaluar disa ditë pushimesh me partnerin e saj, aktorin Callum Turner, në shtëpinë bregdetare të familjes së saj në Shqipëri.
Duket e çlodhur dhe e lumtur. Edhe pse me vetëm tre albume, Dua Lipa është një megayll që thyen rekorde: ka tre çmime Grammy dhe shtatë Brit Awards në karrierën e saj. Ajo është artistja e parë grua që ka pesë këngë me mbi dy miliardë dëgjime në Spotify dhe artistja e parë që u transmetua drejtpërdrejt për një audiencë globale nga Pyramid Stage në Glastonbury. Ndërsa flet - me zë të ulët - ajo luan me rrethin e artë në veshin e majtë dhe herë pas here i lëviz flokët e zinj mbi shpatull, ku dallohet lëkura e puthur nga dielli. Kur dikush i tha së fundmi, se kënga e saj hit “Be The One” mbush 10 vjeç në tetor, ajo e kuptoi se kishte qenë në turne dekadën e fundit, ndaj filloi të bënte një bilanc: si ndihet me veten, sa e lumtur është në marrëdhënien e saj dhe përgjigjja e saj është: Mbusha 30 vjeçe në gusht dhe kam menduar shumë për këtë, sepse të 20-at janë shumë të trazuara në mënyrën se si mendon për veten dhe trupin tënd. Tani e ndiej që kam arritur në një pikë – ku jam bërë më e mirë në kujdesin për veten, në stërvitje dhe në kërcim.

Ndihem më e sigurt dhe shumë më e fuqishme se kurrë më parë. Ndihem mirë kur ndaj energjinë time me njerëzit në skenë. Ka kaq shumë gjëra që më bëjnë krenare për trupin tim”. Në tre vitet e fundit, Lipa e ka zgjeruar perandorinë e saj pasi babai i saj mori menaxhimin e saj, duke blerë të drejtat e këngëve të saj. Ajo nënshkroi një marrëveshje me Warner Chappell Music dhe këngët po prodhohen nga kompania e saj mediatike, Radical22, së bashku me një degë prodhimi filmash, platformën e saj globale editoriale Service95 dhe një klub libri. Dua u takua për herë të parë me Callumin në Londër – ku ajo po darkonte me të atin, e më pas lidhja e tyre u bë publike. Kur ajo postoi një foto në Instagram, ku ndjekësit vunë re një unazë fejese në gisht, aty u duk sikur thashethemet u konfirmuan.
“Po, jemi fejuar”, më thotë Dua. “Është shumë emocionuese”. Më thotë se Callum ia bëri dhuratë unazën pasi u konsultua me shoqet dhe motrën e saj. “Është mirë të dish se personi me të cilin do të kalosh pjesën tjetër të jetës të njeh shumë mire” – shprehet artistja.
Sa i përket dasmës, ata ende nuk kanë plane. “Dua të përfundoj turneun tim, Callum është në xhirime, kështu që po e shijojmë këtë periudhë. Nuk kam qenë kurrë dikush që ka menduar vërtet për një martesë, ose që ka ëndërruar se çfarë lloj nuseje do të isha. Por tani, po mendoj”. Rrëfen se ka parë shumë njerëz të fejohen dhe kurrë nuk e ka kuptuar vërtet peshën e kësaj. Tani po e kupton:
“Ky vendim për t’u plakur së bashku, për të parë një jetë, për të qenë miq të mirë përgjithmonë – është një ndjenjë vërtet e veçantë”.
Çdo mëngjes ajo dhe Turner, shëtisin në park qenin e tyre Golo dhe siç pohon është gjëja e saj më e preferuar. Pavarësisht jetës së tyre të ngjeshur në punë, ajo dhe Callum kanë një rregull: nuk do të jenë larg njëri-tjetrit për më gjatë se dy javë. Në shtëpi, darkat i gatuan ajo më shpesh dhe sipas miqve të saj, janë për të lëpirë gishtat. “Do të doja shumë të kisha fëmijë një ditë.
Është nga ato gjëra që duhet të ndodhin kur të ndodhin. I dua fëmijët, por ka më shumë punë për rritjen, sesa thjesht t'i duash ata”. Dua ka një lidhje të fortë me familjen për shkak sfidave që ata kanë kaluar. Prindërit, Anesa dhe Dukagjini, erdhën në Londër në vitin 1992 si refugjatë nga Kosova. Dua lindi tre vjet pas mbërritjes. “Kaluam shumë sfida”, thotë Anesa, “Fëmijët e dinin këtë dhe mësuan se çfarëdo që të kishim përballë, ne si familje mund ta zgjidhim”.
Ende familja e Duas është qendra në jetën dhe punën e saj. Motra e saj, Rina, lindi pesë vjet pas saj, dhe vëllai i Gjin, në vitin 2005. Kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, familja u kthye në Prishtinë. Dua nuk ishte dygjuhëshe, por shpejt u bë e tillë. Në shkollë lexoi Ismail Kadarenë në shqip, ndërsa pushimet verore i kalonin në Mal të Zi. “Ne nuk shikonim televizor”, kujton Rina. “Gjithmonë në shtëpi kishte muzikë. Luanim me letra dhe lexonim libra. Ndërsa Dua këndonte gjatë gjithë kohës”. Në moshën 15 vjeçe, Dua mori një vendim: të kthehej në Londër vetëm dhe të ndiqte karrierën në muzikë.
“Kjo ishte gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj në jetën time”, kujton e ëma, “por ajo ishte shumë e vendosur dhe plot ëndrra. Ishte e pjekur dhe ne besonim tek ajo”. Dua ndante një apartament në Londër me vajzën e një miku të familjes nga Shqipëria. “Isha e vetëdijshme për faktin se prindërit e mi më kishin lejuar të rrija larg tyre. Ata më kishin besuar dhe thashë: Nuk do ta prish këtë shans”. E duket se Dua ja ka arritur qëllimit të saj. Sot është artistja që bën krenare veten, familjen, e jo vetëm!
-
3 receta të thjeshta për makarona të pjekura në furrë!
25 Tetor, 11:19 -


