KreuCelebrity

"Asnjë burrë nuk më ka dashur aq shumë...", dashuritë e Ornella Vanonit!

Këngëtarja legjendare italiane, Ornella Vanoni, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. 

Dashuria ka qenë gjithmonë një kapitull i rëndësishëm në jetën e Ornella Vanonit, po aq sa muzika. Ajo ka folur shpesh hapur për marrëdhëniet, pasionet dhe zhgënjimet e saj, duke e bërë jetën sentimentale pjesë të imazhit të saj publik. E sinqertë dhe pa filtra, Vanoni është një nga pak artistet italiane që ka folur pa frikë për ndjenjat e saj, duke treguar se dashuria për të ka qenë gjithmonë një aventurë e thellë dhe e vërtetë.

Pjesë nga intervista për gazetarin Aldo Cazullo në “Corriere della Sera”

Në moshën njëzetë vjeçare u fejuat me Giorgio Strehler.

Isha shumë e turpshme. Në konviktin e kolegjit në Francë dhe në Angli thurja nyjet e çarçafëve për shoqet që donin të dilnin nga dritarja. Ato iknin, unë jo, preferoja të qëndroja brenda. Gjatë luftës u operova në grykë, ku më nxorrën nyjet limfatike. Më masakruan. Edhe sot i kam shenjat, i shihni? Më vinte shumë turp.

Strehler ishte mashkulli i parë për ju?

Jo, ishte një zotëri napoletan, më i madh se unë.

Si e mbani mend herën e parë?

Të bukur, sepse ishte e ëmbël.

Strehler.

Asnjë burrë nuk më ka dashur aq shumë. Ishte i martuar, por nuk kishte rëndësi. Nuk ka qenë kurrë ambicia ime të martohesha. Frekuentoja kurset në Piccolo Teatro. Provimin, për shkak se mbiemri im fillonte me V, e dhashë e fundit. Isha shumë nervoze. Errësirë e plotë. Mbaja me vete “Verrà la morte e avrà i tuoi occhi” dhe një pjesë të letrave të Alfieri-t. Ngecja vazhdimisht dhe përsëritja: pardon, pardon... Dëgjova një zë gruaje që tha: “Vëmendje, këtu ka diçka interesante.” Ishte Sarah Ferrati, aktorja e madhe. Unë grave i detyrohem për të mirën më të madhe dhe të keqen më të errët.

Strehler.

Ai vinte gjithmonë për leksione në klasën time, për habinë e të tjerëve: zakonisht kurrë nuk paraqitej. Mësuesja e vallëzimit ishte gruaja e tij, nga e cila ishte ndarë tashmë. Ajo më urrente: e kishte kuptuar në ajër se do t’i pëlqeja burrit të saj.

Po ai?

Më thoshte: ke talent, por nuk ke durimin për t’u ngritur. Kishte të drejtë. Por në fund ia dola pa atë.

Si përfundoi vallë?

Nuk mund ta ndiqja te droga dhe te veset e tjera që kishte. Shkova në festivalin e Spoleto-s për të kënduar këngët e të këqinjve me regji të Zeffirelli-t. Hyra në grupin e Visconti-t që më pëlqeu shumë. Aty takova Renato Salvatori-n, atë të “Poveri ma belli”. Gati sa s’më çoi në shtrat. Ishte vetëm një flirtim, por dolën fotografitë tona në një xhiro me motoskaf në liqenin e Bracciano-s. Strehler vuajti si qen. Vinte në shtëpi dhe më përsëriste: “Me ty mund të jetoj, pa ty nuk mund të jetoj...” Vite më vonë, më telefonoi: “Ti duhet të kthehesh me mua, të dua afër meje...”. E informova se po martohesha.

Me Lucio Ardenzi-n, producentin.

Strehler u çmend: “Ai tregtari!”. Giorgio rrethohej me gra që e adhuronin, nuk e përtypte faktin se ndonjëra mund t’i thoshte jo. Por unë e adhuroja po aq sa ai, një gjeni, ishte në skenë për të luajtur “Tempesta” apo “Il gioco dei potenti”. Në jetë e doja siç duhet një burrë. Dhe për të tjerat nuk më bëhej vonë.

Para martesës takuat Gino Paoli-n.

E dëgjova në shtëpinë diskografike që po luante “Il cielo in una stanza”. Pyeta kush ishte, më thanë: “Një pederast që bën këngë të tmerrshme”. E çuditshme, thashë me vete, luante shumë keq, por kënga m’u duk e bukur. Kështu fillova të dilja me të.

 

Çfarë bënit?

Shëtitje të gjata. Gino nuk kishte para as për një biletë tramvaji, kështu që ecnim gjithmonë në këmbë, unë vrapoja pas tij me takat e larta, komplet e sfilitur. Deri sa më në fund, mbështetur pas një muri, e pyeta: “Po ti je pederast?”. M’u përgjigj: “Jo, pse?”. Dhe unë: “Kështu më patën thënë”. Dhe ai: “Kurse mua me kanë thënë që je lezbike, këndon keq dhe sjell ters...” Shpërthyem në të qeshura dhe kështu dhamë puthjen e parë.

Nga vinin ato thashetheme?

Sepse ishim të ndryshëm. Por Gino ishte i lumtur: “Unë i lë të flasin, pastaj shkoj me gratë e tyre”.

As për Paoli-n nuk ishit xheloze?

Shumë xheloze. Nuk ishte kurrë, sepse i martuar lëvizte gjithmonë. Dilnim nga shtëpitë tona me një çantë me xhetona dhe flisnim me orë në telefon. Pastaj ai më tha: “Ornella, i mban mend të qeshurat?”. Po çfarë të qeshurash, unë vuaja për vdekje! U martova me Ardenzi-n, por isha ende e dashuruar me Gino-n.